Protesta e opozitës/ Ambasada italiane qytetarëve të saj: Shmangni grumbullimet

Ambasada e Italisë në Tiranë i bëri thirrje sot qytetarëve të saj që jetojnë në Tiranë, të shmangin grumbullimet dhe turmat e njerëzve gjatë protestës që do të zhvillojnë partitë opozitare në datën 13 prill.

Ambasada ka bërë thirrje për kujdes maksimal në këtë ditë nga ana e qytetarëve të saj.

“Të shtunën, 13 prill 2019 do të ketë një protestë politike që do të përfshijë qendrën e Tiranës, në veçanti bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, përpara Presidencës së Këshillit të Ministrave, duke filluar rreth orës 18:00. Rekomandohet të shmangni grumbullimet dhe të ndiqni përditësimet përmes shtypit dhe në përgjithësi të përdorni kujdesin maksimal”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

Sipas Ambasadës duhet gjithashtu të theksohet se ngjarja mund të ketë pasoja në trafik në rrugët kryesore të hyrjes në qytet.

Edhe në protestat e tjera të organizuara nga opozita, Ambasada italiane i ka kërkuar qytetarëve italianë të evitojnë grumbullimet masive./atsh