Janë 45 persona të shoqëruar deri më tani nga Policia, pasi akuzohen për dhunën ndaj Policisë para Kryeministrisë dhe te Parlamenti. Shoqërimet kanë vijuar gjatë natës, por edhe në orët e para mëngjesin e sotëm. Mbrëmjen e djeshme, menjëherë sapo u mbyll protesta, u shoqëruan 20 persona, ndërkohë që 25 të tjerë janë ndaluar gjatë natës.
Për 4 orë, opozita protestoi sërish këtë të shtunë, fillimisht para Kryeministrisë e më pas tek Parlamenti. Edhe në këtë protestë nuk munguan aktet e dhunës dhe përplasjet me policinë. Protestuesit hodhën tymuese, flakadanë e kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës e ujë me presion.
Të plagosur mbetën si efektivë policie ashtu dhe protestues. 5 punonjës policie u dërguan në Spitalin e Traumës me dëmtime kryesisht nga lëndët piroteknike dhe sendet e forta. Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se 15 protestues mbetën të plagosur.