Protesta e komunave më 1 shtator, Ibrahimi: Kërkesat tona janë injoruar ndër vite nga niveli qendror

Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës kanë vendosur të protestojnë më 1 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës(AKK) thekson se problemet financiare, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërhyrjet në kompetencat komunale kanë bërë që dialogu të shterrojë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka thënë se vendimi për protestë ka ardhur pasi, sipas tij, janë shterrur pothuajse të gjitha rrugët e dialogut me nivelin qendror.

“Kemi shumë arsye sa i përket kësaj proteste, sepse të gjitha rrugët e dialogut pothuajse janë shterur me nivelin qendror. Pothuajse që disa vite kërkesat e komunave janë injoruar në mënyrë totale. Nuk ka pasur një bashkëpunim të sinqertë me komunat. Në takimet të cilat janë zhvilluar me nivelin qendror vetëm kërkesat e komunave janë dëgjuar, mirëpo nuk ka pasur asnjë impakt nga takimet të cilat i kemi organizuar me nivelin qendror. Dhe kështu që përfundimisht erdhi vendimi i kryetarëve të komunave prezentë në takimin e Këshillit që më 1 shtator, në ora 11:00, të kemi protestën e komunave, ku protesta do të ketë qëllimin që problemet të cilat janë adresuar nga komunat e Republikës së Kosovës ndër vite të miratohen apo të merren parasysh nga niveli qendror”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se një prej kërkesave kryesore të komunave lidhet me mjetet financiare për kontratat kolektive.

“Kërkesa e parë normal është që me qindra miliona euro komunave u janë marrë në mënyrë të padrejtë nga kontratat kolektive. Pastaj kemi edhe moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga niveli qendror sa i përket normës së kompensimit për përvojën e punës. Domethënë, nga marsi i vitit 2023, 2024, 2025, niveli qendror nuk e ka zbatuar këtë aktgjykim, edhe pse është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Pastaj kemi çështjen e dëmit nga vërshimet, që nga viti 2022 kemi bujq, fermerë, qytetarë, të cilët nuk u janë kompensuar nga niveli qendror, edhe pse përgjegjësia institucionale është e nivelit qendror. Pastaj është problemi i rishikimit të grantit për arsim, sepse vetëm këtë vit komunat do të jenë të obliguara që t’i mbulojnë shpenzimet e rreth mbi 3 mijë mësimdhënësve, që vlera totale është rreth 24 milionë euro. Nga moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, komunat do të dëmtohen në vlerë deri në 60 milionë euro. Gjithashtu edhe kontratat kolektive me qindra miliona euro. Domethënë, komunat janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket financave.”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se një pjesë e rëndësishme e protestës lidhet edhe me, siç e ka quajtur ai, tendencën e nivelit qendror për marrjen ose ndërhyrjen në kompetencat e komunave.

“Domethënë ndalja e centralizimit të kompetencave; kemi pasur Inspektoratin e Tregut, kemi pasur procesin e rekrutimit, tash edhe me çështjen e pronave publike, por gjithashtu edhe themelimi i grantit të katërt për investime kapitale, e cila është një kërkesë që disa vite e kërkuar nga kryetarët e komunave, mirëpo niveli qendror nuk i ka përkrahur kryetarët e komunave në themelimin e grantit të katërt për investime kapitale. Gjithashtu edhe një krijim i një fondi emergjent për komuna”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se motoja e protestës do të jetë “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”.

I pyetur për deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati i cili deklaroi se buxheti vitin e ardhshëm do të arrijë 900 milionë euro, Ibrahimi ka thënë se ndarja e tyre përcaktohet me legjislacionin në fuqi dhe me formula të përcaktuara. /EO