Protesta, Ali Ahmeti nga sheshi “Skënderbej”: Po kërkojmë drejtësi, UÇK ka respektuar të gjithë konventat për luftërat

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.

Në një intervistë nga sheshi Skënderbej, Ahmeti tha se kjo protestë nuk ka karakter politik apo partiak, por është një thirrje qytetare për drejtësi dhe për të mbështetur figurat historike të UÇK-së.

“Dita e sotme është, të gjithë jemi UÇK. Të gjithë jemi në përkrahje të çlirimtarëve, sepse Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bëhet një padrejtësi e madhe. Nga një ushtri çlirimtare në dosje, organizma tepër konspirativë të Beogradit dhe Moskës. Filloi më pas me Dick Marty, një deputet që doli në lajme në Bruksel e SHBA, sikur UÇK është marrë me tregti organesh njerëzore. Ky ishte fillimi dhe tani ky proces devijoi, përderisa ranë të gjitha reagimet dhe nuk kishte asnjë fakt që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një veprim të tillë. Sot jemi në kërkim të drejtësisë dhe besoj që drejtësia në fund do të vendosë drejt”, u shpreh Ahmeti per Report Tv.

Ai theksoi se UÇK-ja ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në koordinim me aleatët strategjikë të shqiptarëve.

UÇK ka qenë një organizatë çlirimtare që ka punuar ngushtë me NATO-n, amerikanët, europianët dhe ne u jemi mirënjohës këtyre fuqive. Ne lirinë e fituam me gjak, por çlirimin me aleatë. Ne kemi respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Nuk mund të vendoset një barazi mes agresorit dhe çlirimtarëve”, deklaroi lideri i BDI-së.

Ahmeti tha se vendndodhja e protestës, sheshi “Skënderbej”, ka një simbolikë të veçantë për të dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës.

“Këtu tani jemi në sheshin ‘Skënderbej’. Unë kam edhe emocione, kam edhe nostalgji, sepse në këtë shesh janë frymëzuar heronjtë më të mëdhenj të Kosovës, Adem Jashari…”, u shpreh ai.

Në përfundim, ai theksoi qartë që protesta nuk ka asnjë qëllim politik apo përfitim partiak.

Nuk ka të bëjë as me politizim, as me partizim”, theksoi Ahmeti, duke nënvizuar se qëllimi i vetëm është mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe e drejtësia për ata që luftuan për liri.

 

Edita Tahiri: Albin Kurti po ëndërron, nuk do të zgjidhet më kryeministër