Senatori amerikan, Lindsey Graham të mërkurën ka deklaruar se 72 senatorë të SHBA-së mbështesin një projektligj që do të vendoste sanksione “dërrmuese” mbi Rusinë – dhe tarifa të larta ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz rus – nëse presidenti Vladimir Putin refuzon të angazhohet në negociata serioze për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka raportuar “Kyiv Post”.
“Qëllimi është të ndihmojmë presidentin”, ka deklaruar Graham, republikan nga Karolina e Jugut dhe një aleat kyç i presidentit Donald Trump.
Projektligji, përfshinë 500% tarifa mbi importet e vendeve që blejnë naftë, gaz natyror, produkte të naftës apo uranium nga Rusia. Po ashtu do t’i ndalonte qytetarët amerikanë të blejnë letra ruse me vlerë.
Projektligji veçse ka kaluar pragun kritik prej 60 bashkësponsorëve, me përkrahje nga liderët e të dy partive. Kjo përkrahje e madhe po ashtu siguron edhe aprovimin e projektligjit në Senat dhe do të ofronte mbështetje të mjaftueshme për të kaluar një veto potenciale nga presidenti Trump.
“Ai tha se ishte i frustruar. Dua që negociatat të përfundojnë luftën, në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. Mendoj se Trumpi është personi i duhur për të arritur këtë qëllim, por këto sanksione përfaqësojnë qëndrimin e Senatit se ne e shohim Rusinë si fajtorin kryesor”, ka deklaruar Graham.
Graham e ka paralajmëruar Putinin kundër nënçmimit të Trumpit, duke e quajtur projektligjin “një mjet në kutinë e mjeteve të presidentit Trump”.
“Kur presidenti Trump beson se ne kemi arritur një rrugë pa krye, atëherë prisni veprime”, shtoi ai.
Sipas tij Putini përfundimisht do të përballet me një zgjidhje: negocio ose shiko ekonominë ruse të “shkatërrohet”.