Llogaritë në rrjete sociale i kanë ndezur me “tre ndërrime”.
Maçineria digjitale pro-Vetëvendosjes është duke bërë kërdi me pafund-përmbajtje propagandistike me implikime prej më të rëndave: të një polarizimi me oktava shqetësuese.
Logjika dhe implikimet e propagandës së Vetëvendosjes po shkojnë kështu: Lista Serbe “organizatë terroriste”, partitë ish-opozitare “në harmoni të plotë” me Listën Serbe, për rrjedhojë, partitë ish-opozitare në bashkërendim me një organizatë terroriste, përkatësisht Serbinë.
Një fotografi e shkrepur nga dora e Albulena Haxhiut, ish-Nënkryetare e Kuvendit, kah krahu i majtë i ulëse teksa PDK-ja voton “kundër” Glauk Konjufcës dhe Lista Serbe prapa po ashtu “kundër” është shndërruar në imazhin elektoral të Vetëvendosjes.
Luftëtarë të Adem Jasharit, njerëz me nam në çlirimin e vendit, djem e bija dëshmorës, e të burgosurish politik, që të gjithë Haxhiu i njëjtësoi me Serbi, dhe asnjë fjalë s’ia hoqi në “Debat Plus” kur u pyet për të.
Profilet me “gra të rreme” që gjejnë audiencë të gjerë janë aktivizuar për të zmadhuar dhe zgjeruar mesazhin se ish-opozita “nuk ka asnjë djallim me Listën Serbe dhe Serbinë” (shih më prominenten ndër ta, “Jona Çitaku”)
“Dallimi mes PDK-së dhe Listës Serbe sot? Asnjë.Zero. Një bllok i vetëm, një mendje, një vijë. Sot në sallë u pa qartë: të gjithë këta,PDK, Lista Serbe, LDK, AAK, Nisma,u rreshtuan si një trup kundër interesit të Republikës. Nuk pati as hezitim, as dilemë. Vetëm dorë e ngritur kundër shtetit të tyre”.
Qindra e mijëra llajka në postime të saj, të shpërndarë e pëlqyer edhe nga akterë të lartë të partisë si Vetëvendosje si Elvis Hoxha, Haxhi Avdyli, dhe mbështetës të zellshëm me orar të plotë si Xhevdet Pozhari e Tomë Gashi.
Ramush Haradinaj, një nga shënjestrat më të mëdha të këtij targetimi, pati fjalë ‘serioze’ ndaj kësaj sipërmarrjeje serbizimi digjital.
“Qysh unë me shk**? Luftova në luftë, ta bëna ushtrinë, ia fitova Kosovës betejën në tribunal ndërkombëtar, ia qita taksën 100%. A këto kokan për Serbi? Pa e marrë asnjë dënim për Kosovën”, e nisi Haradinaj fjalën e tij në një intervistë për “Arbëria TV”.
Por, Haradinaj kreshendon e pati tonike për “sjelljen e tillë”.
“E t’më thuash se jam me Listën Serbe? Me t’ju thanë: a e din çka? Jam. Se ti je më i zi se ata kur flet kështu. Kush flet kështu nuk është në rregull. Nuk falen këto. Ai që i thotë Ramushit kështu, beso është argat i dreqit. Mos more. Dy vëllazën i kam në tokë, jam kanë aty kur janë vra. Nga e dita e parë tre e fundit nuk e kam lëshu pushkën prej dore. Kush je ti m’i thanë këto fjalë? Me kon je ti që po i thu këto fjalë? Ky është një lloj mallkimi për ta, kjo çka po bëjnë. Se unë e kam një shprehje…besoni, si në vend të shenjtë m’e më prek. Nuk kanë me pa ditë ata njerëz që sillen kështu me më, as në politikë, e as në kurrgjë, kurrë. Sepse janë do vlera që nuk o mirë me i prek në atë bazë”, tha Haradinaj.











