Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i LDK-së, kanë debatuar në distancë lidhur me çështjen e buxhetit për Prishtinën.
Pas njoftimit për pezullim të trafikut urban për të hënën dhe akuzave nga Përparim Rama për bllokim të kryeqytetit, ministri Murati, i ka drejtuar pyetje kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikun se pse nuk e kanë votuar buxhetin për kryeqytetin.
Në një reagim në Facebook, Abdixhiku ka akuzuar LVV-në për bllokim në Prishtinë, duke shtuar se kryeqyteti nuk mund të përdoret për beteja politike.
“Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij. Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision. Teksa shpërndanin vitra për votë; pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërsa, Murati i është kundërpërgjigjur duke thënë se mo përgjigjja në pyetjen e bërë, tregon se LDK nuk e ka hallin e qytetarëve.
“Dhe ja, në vend se të përgjigjet pse nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Lumir Abdixhiku qenka marrë me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo veç çka e vërteton atë që e thash, se këta fare nuk e kanë hallin te qytetari, përndryshe do ta kishin votuar buxhetin jo veç të Prishtinës por edhe të RTK-së e të shtetit për vitin 2026 e nuk do të kishin rrezikuar pagat, pensionet, e shumë shërbime tjera esenciale. E turpshme Lumir”, ka shkruar Murati./teve1.info/











