Propaganda nominale e Kurtit – “mësuesi i ekonomisë” që shet sukses me shtrenjtimin e bukës

Kur buka dhe qumështi kushtojnë dyfish, shteti arkëton më shumë TVSH, por qytetari nuk pasurohet domosdoshmërisht. Në fakt, përgjatë qeverisë Kurti II, qytetarët u tatuan mbi vetë vështirësitë për të mbijetuar, siç u dëshmua në një sërë raportesh të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Këtë paradoks të dhimbshëm, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e paketoi si sukses për katër vjet, duke u mburrur me “rritje të hyrash” dhe “buxhet rekord”, shifra që në realitet janë ushqyer drejtpërdrejt nga dobësimi drastik i fuqisë blerëse, i shkaktuar nga inflacioni që theu të gjitha rekordet.

Ka diçka thellësisht absurde në mënyrën si Kurti ka vendosur ta luajë rolin e “mësuesit” të ekonomisë në fushatë: duke u dhënë leksione kundërshtarëve se si “nuk mund t’i ulësh tatimet dhe t’i rritësh shpenzimet” pa e ditur çfarë po bën. Kritiku i zotimeve të Hamzës nuk la paraqitje pa trumpetur “sukses” për numra nominalë: të hyra, buxhet, punësim i formalizuar dhe të hyra nominale, si dhe një sërë pretendimesh të tjera të cilat refuzonte t’i përpjesëtonte me atë që po ua dobësonte fuqinë blerëse qytetarëve, inflacionin dyshifror në kumulativ dhe treshifror për produkte të caktuara.

Në një tubim zgjedhor në Therandë, Kurti “mohoi” aftësitë e Bedri Hamzës si ekonomist, duke thënë se “ka ikur nga ora” dhe “kush i paska dhënë mësim”. Prova më e pamëshirshme, ajo që nuk zhbëhet me asnjë retorikë, është pikërisht inflacioni, të cilin Kurti jo që s’e luftoi, por e përdori si mirazh për të proklamuar suksese nominale.

Pyetja retorike synonte ta përbaltonte ekonomistin e PDK-së që guxoi të fliste për ulje tatimesh dhe rritje pagash; për një model ku pagat rriten substancialisht, ndërsa TVSH-ja për produktet esenciale ulet për ta lehtësuar shportën e familjes. Por Hamza kujtoi se, për të, rritja e pagave dhe menaxhimi fiskal nuk janë koncepte abstrakte, por vendime të zbatuara më parë, me efekte konkrete në fuqinë blerëse.

“Në vitin 2011, janë vendime dhe janë të reflektuara në buxhet, dhe janë vendime të qeverisë.

Ku rriten pagat për arsimtarë, dhe personelin arsimor për 50%. Janë rrit pesëdhjetë, edhe pastaj për shëndetësinë, policinë. Dhe kjo nuk ka qenë rritja e fundit për atë mandat. Prap rritja për 25% ka ndodh më 2014. dhe brenda një mandati, kur e merr në kumulativ, ka paga që janë rritë afërsisht deri në 100%. Prandaj, e kuptoj se në atë kohë ka qenë I angazhuar po e thjeshtoj me bë sherre, nëpër rrugë, me u merr me sulme ndaj institucioneve dhe lincim e ofendim”, tha Hamza.

Në replikën e tij, Hamza madje ndërtoi edhe një kontrast kohor: ndërsa ai nënshkruante vendime që rrisnin pagat dhe e rritnin kapacitetin konsumues të qytetarëve, Kurti, “përveç që Kurti nuk është i kualifikuar” në këtë lëmi, ai asokohe ka qenë “duke bë sherre rrugëve”.

Pikërisht këtu qëndron problemi: Kurti dështoi në nukleusin e politikave sociale – në mbrojtjen dhe forcimin e fuqisë blerëse të qytetarit.

Dëshmitari më përgënjështrues ndaj pretendimit të Kurtit se mund t’u japë “mësime ekonomike” haset në realitetin në të cilin jetohet pesë vite pasi kreu i Vetëvendosjes udhëhoqi qeveri me mbi 50 për qind të votave.

Përgjatë qeverive paraprake, Vetëvendosje e trajtonte çdo lëvizje të çmimeve si alarm kombëtar. Në maj 2019, kur inflacioni ishte 3.4 për qind, VV shkruante kështu: “Kjo është shkalla më e lartë në një muaj që nga janari 2013! Çmimet janë rritur ende pa u rritur pagat, dhe fuqia blerëse po zvogëlohet më së shumti tek të varfërit!” Në atë kohë, 3.4% ishte argument për dështim, për padrejtësi, për shtypje sociale.

Në mesin e mandatit të qeverisë Kurti II, inflacioni arriti nivele rekord, ku në mesin e vitit 2022 tejkaloi 14 përqindëshin si indeks i harmonizuar krahasuar me periudhën paraprake dhe përfundoi mbi 11 për qind si normë vjetore në atë vit. Kumulativisht, duke përjashtuar vitin 2025, inflacioni përgjatë qeverisë Kurti tejkaloi 22 përqindëshin. Krejt këtë situatë, Kurti e arsyetoi me “krizën globale”.

Megjithatë, aktualisht Kosova po përballet me inflacion enorm, me çmimet e produkteve esenciale që kanë arritur nivele dyshifrore, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian sillet rreth 2,4%, ndërsa zona e Euros qëndron në vetëm 2,0%, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për korrik 2025. Pra, Kosova po lëviz në një “klimë çmimesh” gati dyfish më të larta se BE-ja.

Së fundi, në një përpjekje për të portretizuar një bum ekonomik gjatë mandatit të tij, Kurti përdori shifra nominale në fushatë, duke pretenduar se ekonomia e Kosovës është rritur me ritme rekord. Gjatë një tubimi elektoral, Kurti deklaroi:

“Prej 7 miliard në 2021, sivjet bëhet 11 miliardë. Në vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë, për çdo vit ia kemi shtu ekonomisë 1 miliard. Atyne tjerëve para neve iu kanë dashtë tri vjet për 1 miliardë – trefish jemi më të shpejtë se ata kur vjen puna te rritja ekonomike.”

Rritja e qarkullimit ekonomik nga 7 në 11 miliardë euro nuk reflekton domosdoshmërisht rritje të prodhimit apo mirëqenies, por është pasojë edhe e rritjes së çmimeve. Kjo dëshmohet edhe nga publikimi i doktorantit të ekonomisë Edison Jakurti në Facebook, ku tregohet zhvleftësimi i euros.

Kur produktet bazë – nga buka e qumështi te materialet ndërtimore – kushtojnë shumëfish krahasuar me vitin 2021, siç ndodhi përgjatë qeverisë Kurti II, vlera monetare e ekonomisë rritet automatikisht, por fuqia blerëse e qytetarit bie.

“Në letër, paratë nuk ndryshojnë. 100 euro janë gjithmonë 100 euro. Kjo quhet vlerë nominale. Por ajo që ndryshon është sa mund të blesh me to. Kur çmimet rriten, me të njëjtat para blen më pak – kjo është vlera reale e parasë,” shpjegoi në postimin e tij në Facebook ndër të tjera Jakurti.