Në një video të publikuar së fundi nga Lëvizja Vetëvendosje, paraqitet një qytetar që partia pretendon se është ish-punëtor i kompanisë “Comodita” dhe aty flet për “tmerrin” që ka përjetuar sa punonte aty. Megjithatë, gazetari Lirim Mehmetaj ka zbuluar se kjo është propagandë e pushtetit.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Mehmetaj ka treguar se si personi në fjalë është Kujtim Fejza, burri i asamblistes së Vetëvendosjes dhe kryetares së gruas së VV-së në këtë komunë, Shqipe Daija Fejza.
“Ekzemplar i sistemit putinist të propagandës. Vetëvendosja ka shpërndarë një video ku një person del e i thotë Albin Kurtit se ai është ish-punëtor i Komoditës e aty ka përjetuar tmerrin, diskriminim të madh e çka jo tjetër. E përshkruan me pak fjalë Auschwitz-in. Po kjo është veç një maskaradë tjetër e Kurtit.
Në fakt, personi në fjalë është Kujtim Fejza, burri i Shqipe Daija Fejza, asambliste e Vetëvendosjes në Gjakovë dhe kryetar e Gruas së Vetëvendosjes në Gjakovë” – ka shkruar Mehmetaj, i cili ka publikuar edhe pamje të tij duke drekuar me zyrtare të Vetëvendosjes.
Mehmetaj ka pasur edhe disa pyetje për personin e afërt me VV-në, njëra prej tyre, lidhet se me atë se nëse ka përjetuar torturë gjatë kohës sa punonte, konfirmohet se gjatë Qeverisë Kurti nuk janë respektuar të drejtat e punëtorëve, ashtu siç pretendohej.
“Pyetja e parë: Nëse në vendin ku ke punuar ke përjetuar torturë, atëherë konfirmohet se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, nuk ka inspektorë që i kontrollon kompanitë dhe pronarët operojnë barbarisht me punëtorët sikur të mos kishte shtet.
E dyta, konfirmohet se nuk qenka e vërtetë se në Kosovë paska plotë vende të lira pune, sepse ky personi paska duruar torturën në Komodita, duke e ditur se përndryshe mbetet pa punë” – ka shkruar tutje gazetari.
Mes tjerash, sipas Mehmetajt, problemi kryesor ka të bëjë me atë se si burri i kryetares së gruas së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, ka marrë rrogë nga Devollët, për të cilët partia në pushtet bashkë me Kurtin kanë pasur shumë akuza.
“Apo jo? Dhe problemi kryesor: Si u bë që Albin Kurti akuzonte Devollët e bash burri i kryetares së gruas në Gjakovë paska marrë rrogë prej tyre?
A? Ehh bre gubana bre që nuk kurseni askë e asgjë për të fëlliqur përtej çdo kufiri” – ka shkruar ai.