Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u bë temë në vend pas reagimit të saj skandaloz që erdhi pas arrestimit të kameramanit të Paparacit, i cili xhiroi mbrojtjen e afërt të presidentes të cilët po ruanin vajzat e saj te shkolla ku ato mësojnë.
Presidentja u hodh në sulm ndaj mediave e gazetarëve pasi doli në pah që presidentja i shkollon vajzat në një shkollë private ku viti kushton 7 mijë euro apo si tha ajo “është çmim i lartë”.
Por sa është e pasur presidentja e vendit e cila ka mundësi që të shkollojë fëmijët në një shkollë private dhe jo në shkollat publike?
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se i merr 33 mijë 104 euro neto si pagë vjetore.
Ndërsa, nga mëditjet në udhëtimet zyrtare jashtë vendit, për një vit ajo ka përfituar 11 mijë 639 euro.
Kështu ka deklaruar ajo në Formularin e Deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, i cili është bërë publik më 23.04.2025.
Po ashtu, ajo ka deklaruar Osmani se me bashkëshortin Prindon Sadriun posedojnë një “banim” të blerë në vitin 2019, me vlerë 208 mijë euro.
Ndërkaq, në emër të bashkëshortit Prindon Sadriut ajo ka deklaruar një banesë në vlerë mbi 59 mijë 760 euro, një shtëpi në Australi 170 mijë euro, një garazh kolektive 6 mijë euro.
Presidentja ka deklaruar një tokë në emrin e saj – 5.10 ari, të cilën deklaron ta ketë blerë 35 mijë euro në vitin 2016.
Pronën në Australi në vlerë 530 mijë euro, të deklaruar në emër të bashkëshortit, Osmani e ka arsyetuar se është blerë me para nga “shitja e shtëpisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”.
Osmani ka deklaruar një veturë në vlerë 10 mijë euro në pronësi të bashkëshortit, e tipit Mercedes, e blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake.
Tutje, ajo ka deklaruar dy kredi: një 40 mijë euro dhe tjetra 16 mijë euro.
Po ashtu aty u deklaruan edhe paga e bashkëshortit si të hyra vjetore me 11 mijë e 68 euro dhe nga qiratë në Australi me 12 mijë e 500 euro.
Pagesa nga vendimet gjyqësore në kuadër të MPJD-së, 19 mijë e 233 euro dhe mëditjet nga MPJD saktësisht 2 mijë e 795 euro.