Vëllimi më i ri poetik “Ylbere dashurie” – “Regnbågar av kärlek”, i poetes tetovare Sadije Aliti, i përkthyer në gjuhën suedeze, u promovua në Boras të Suedisë, në kuadër të festivalit të 8 ndërkombëtar të poezisë “Sofra poetike Borås 2019”.
Në këtë festival morën pjesë poetë shqiptarë e suedezë, poetë nga: Suedia, Shqipëria, Anglia, Greqia, Norvegjia, Kosova, Maqedonia e vende të tjera. Festivali u organizua nga stafi i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”.
Ishte ky një tubim letrar ku krahas misionit të poezisë për të përcjellë një emocion, nuk ishte thjesht një renditje fjalësh, por një organizim kulturor e artistik, ku pati recitime, këngë dhe pika muzikore, me një përzgjedhje në stilin më të veçantë e origjinal për të mbërritur deri tek dashamirët e poezisë.
“Pas leximit të poezive u promovua edhe libri, botimi më i ri, i përkthyer dhe i botuar në gjuhën suedeze. Pasuan shkëmbime bisedash e librash, takime e prezantime me miq e autorë, njohja me aktivitetet dhe projektet e gjithsecilit në vendet ku punojnë, janë një shans i mirë që ky udhëtim në Borås të Suedisë na mundësoi në ditën e qëndrimit dhe zhvillimit të Sofrës Poetike 2019”, thekson poetja Sadije Aliti.
I pranishëm në këtë ngjarje kulturore ishte edhe Ibrahim Kadriu, i cili edhe ka bërë një vlerësim për krijimtarinë e Sadije Alitit.
Fundi i marsit shënoi një përmbyllje të bukur dhe një arritje kulturore për poeten Sadije Aliti, botimin dhe promovimin e librit dhe pjesëmarrje në festivalin poetik në Borås të Suedisë, ku të pranishmëve u është dhuruar simboli i shoqatës “Migjeni” si organizatore e këtij manifestimi.
Në këtë aktivitet bëhet edhe një ballafaqim mes letërsisë shqipe dhe asaj suedeze me prezantimin e autorëve dhe veprave të sjellura e përkthyera nga shqipja në suedisht dhe anasjelltas.