Prokurorisë së Hagës nuk ia mbush syrin Policia e Kosovës, insiston që Veseli, Krasniqi e Selimi të mos lirohen

Më 28 mars 2025, në adresën e Gjykatës Speciale të Hagës, arriti një dokument i rëndësishëm.

Ai dokument ishte nga Policia e Kosovës, ku përfshihej një zotim se si insititucion, janë të gatshëm të zbatojnë secilën kërkesë të Speciales, në mënyrë që ish-krerët e UÇK-së të lirohen në arrest shtëpiak.

Në parashtresën që e ka deponuar në Hagë mbrojtja e Jakup Krasniqit, e të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se Policia është zotuar se posedon të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike për ta zbatuar arrestin shtëpiak.

“Më 26 tetor 2021, Policia e Kosovës iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake për të konfirmuar hapat që Policia e Kosovës do të ishte në gjendje të ndërmerrte për të monitoruar të Akuzuarin gjatë lirimit të përkohshëm. Më 28 mars 2025, Policia e Kosovës konfirmoi se ka kapacitetet e nevojshme, duke përfshirë burimet njerëzore dhe pajisjet teknike, për të zbatuar masat e arrestit shtëpiak për të gjithë kohëzgjatjen e lirimit me kusht.1[REDAKTUAR]. Për më tepër, Policia e Kosovës informoi se [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtresë, raporton gazeta Nacionale.

Megjithatë, ky zotim i Policisë po del se nuk ia ka mbushur mendjen Prokurorisë. Madje, sipas dokumenteve publike, del se Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hedhur dilema për efikasitetin e Policisë në zbatimin e kësaj mase.

Prokuroria në parashtrimet e saj, ka kërkuar nga gjyqtarët të refuzojnë kërkesat për lirim me kusht dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbeten në paraburgim.

Për aftësinë e Policisë së Kosovës dhe dyshimet e Prokurorisë së Hagës, një dokument me reagim të ashpër e ka dërguar mbrojtja e Kadri Veselit. Ekipi mbrojtës thekson se Policia e Kosovës është institucion i shtetit që e ka themeluar gjykatën, dhe ka aftësi për ta zbatuar secilën kërkesë nga gjyqtarët.

“Policia e Kosovës është e aftë të zbatojë çdo kusht të urdhëruar nga Paneli. Në fillim, Mbrojtja nënvizon se Policia e Kosovës është një organ i të njëjtit shtet, të cilit i përket kjo gjykatë, DHSK-ja. Profesionalizmi i tyre konfirmohet nga Komisioni Evropian. Ajo kërkohet drejtpërdrejt, sipas Nenit 53 të Ligjit, që të “zbatojë pa vonesë të panevojshme çdo kërkesë për ndihmë ose një urdhër ose vendim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.Ligji për Policinë kërkon më tej në mënyrë të qartë që Policia e Kosovës të ekzekutojë çdo urdhër të ligjshëm gjyqësor. Natyrisht, kjo përfshin çdo urdhër nga Paneli Gjykues për të parandaluar pengimin e drejtësisë gjatë lirimit të përkohshëm. Çdo pyetje në lidhje me gatishmërinë ose aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet duhet të merret në konsideratë duke pasur parasysh këtë kuadër të qartë ligjor. Ata janë në dispozicion të Gjykatës për të siguruar që urdhrat e saj të zbatohen në mënyrë efektive, duke përfshirë edhe mohimin e çdo rreziku që mund të thuhet se lind në lidhje me çdo çështje të supozuar të mbrojtjes së dëshmitarëve. Do të ishte gabim të refuzohej lirimi i përkohshëm në bazë të ndonjë mangësie të dukshme në operacionet e Policisë së Kosovës”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Kadri Veselit të cilën e ka siguruar Nacionale.

Nga dokumentet zbulohet se njëra ndër problemet që Prokuroria e Hagës e ka përmendur ndaj Policisë, janë mesazhet e koduara.

“Prokuroria shpreh shqetësimin e saj për mungesën e informacionit në lidhje me aftësinë e Policisë për të zbuluar mesazhe të koduara. Mbrojtja përsërit se nuk është sugjeruar kurrë që Z. Veseli të ketë përdorur mesazhe të koduara. Për më tepër, aftësia e Regjistrit për të zbuluar mesazhe të koduara nuk është shpjeguar kurrë dhe pamundësia e supozuar e Policisë së Kosovës për ta bërë këtë nuk është vërtetuar kurrë – përveçse thuhet se ata nuk mund të jenë të vetëdijshëm për informacionin konfidencial në lidhje me çështjen. Edhe në mungesë të informacionit specifik të çështjes, megjithatë, arsyeja e shëndoshë dikton që afërsia gjuhësore dhe kulturore e Policisë së Kosovës duhet t’i bëjë ata të paktën, nëse jo më të aftë, të zbulojnë mesazhet e koduara”, thuhet në këtë parashtresë.

Prokuroria ka përmendur edhe disa vërejtje ndaj Policisë, por të cilat aktualisht janë konfidenciale.

Mbrojtja e Kadri Veselit ka insistuar se Prokuroria e Hagës po synon në çdo formë që t’i mbajë në paraburgim të akuzuarit, dhe kjo përbën shkelje.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka propozuar 7 masa konkrete të cilat Krasniqi është i gatshëm t’i zbatojë në arrest shtëpiak, vetëm që të lirohet dhe të qëndrojë pranë familjes.

Kundërshtime në pretendimet e Prokurorisë së Hagës ka pasur edhe mbrojtja e Rexhep Selimit. Sipas avokatëve, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Rexhep Selimi mund të arratiset, ose ka synim të ndikojë në prova dhe dëshmitarë.

Të gjitha ekipet mbrojtëse, njëzëri, kritikojnë faktin se pavarësisht që kanë përfunduar dëshmitarët e Prokurorisë dhe janë dorëzuar të gjitha provat, klientët e tyre nuk po lirohen.

Kërkesë për lirim të përkohshëm nuk ka bërë Hashim Thaçi.