Prokuroria Themelore e Prishtinës paralajmëron arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur procedurat ndaj deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët hedhën gaz lotsjellës në seancë dy herë radhazi gjatë ditës së sotme.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar për Express se Policia ka pranuar emrat e deputetëve që kanë hedhur gaz dhe se hetimet po vazhdojnë.
Beka thotë se secili që gjuan gaz që nga ky moment do të arrestohet.
“Prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që secili që gjuan gaz apo me ndonjë mjet tjetër në Kuvend që të arrestohet”, ka thënë prokurori Beka.
Kujtojmë se deputetët: Xhelal Sfeçla, Sami Kurteshi, Fitore Pacolli, Sali Zyba dhe Drita Millaku janë deputetët e VV-së që kanë hedhur gaz lotsjellës dy herë brenda sallës së Kuvendit.