Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se prania e kryeprokurorit të kësaj prokurorie, Zejnullah Gashi, në mesin e politikanëve kosovarë mbrëmë në Sllovaki, ishte e rastësishme.
Përmes një komunikate, Prokuroria ka thënë se fotografia ka paraqitur vetëm një moment feste dhe nuk paraqet ndonjë raport të afërt të kryeprokurorit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes këtij sqarimi për media, thekson se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, z.Zejnullah Gashi, ka qenë dje i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen futbollistike Sllovaki- Kosovë, një aktivitet sportiv publik. Në tribunën ku ka qenë i ulur Kryeprokurori Gashi, në të njëjtën hapësirë kanë qenë të ulur edhe përfaqësues tjerë të insititucioneve të vendit si dhe te disa subjekteve politike ashtu siç edhe i kanë pasur biletat. Fotografia e publikuar paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv të të gjithë kosovarëve që kanë qenë të pranishëm në stadium duke përcjellë nga afër këtë ngjarje sportive dhe në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar apo afërsi personale të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Gashi ishte parë mbrëmë në ndeshjen mes Sllovakisë e Kosovës në mesin e ministrit Konjufca e Gashani, si dhe kryetarëve Rama, Lladrovci e Peci.
Ai ishte kritikuar për afërsinë e tij me politikanët kosovarë, duke vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës së Prokurorëve.










