Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Të pandehurit, me inicialet F.K. dhe N.S., akuzohen për veprën penale “Kanosja”, sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, i pandehuri F.K. ka publikuar një postim në rrjetin social “Facebook”, ku ka drejtuar kërcënime serioze ndaj kryeministrit Kurti, me qëllim frikësimi dhe ushtrimi presioni që ai të ndryshojë sjelljen ose vendimet si person zyrtar.

Në një reagim të mëvonshëm, më 30 gusht 2023, F.K. thuhet se ka përsëritur qëndrimin e tij me një deklaratë më të ashpër:
“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

Ndërkohë, edhe i pandehuri tjetër, N.S., sipas Prokurorisë, ka bërë postime me përmbajtje kërcënuese, duke u mbështetur në deklaratat e F.K. dhe duke i intensifikuar ato me komente të rënda përmes të njëjtit rrjet social.

Prokuroria ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ka theksuar se këto veprime përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

The post Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit appeared first on Kosovapost.net.