Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për nxitje të urrejtjes etnike në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi serb, i identifikuar si S.S, nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 14 tetor 2023, në fshatin Dren të Komunës së Zubin-Potokut, i pandehuri ka kryer veprime që kishin për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes ndërmjet grupeve etnike, si dhe rrezikimin e rendit publik në Kosovë.

“Gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ishte i veshur me një maicë me përmbajtje nacionaliste, në pjesën e përparme të së cilës gjendej harta e Kosovës dhe mbishkrimi “NE DAMO TE ZEMLODUSANOVA” (që përkthehet si “Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”). Në pjesën e pasme të maicës ishte shkruar “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKE KOLOSIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe me tone nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në vend”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se me këtë veprim, i pandehuri ka nxitur publikisht urrejtje ndërmjet grupeve etnike në Kosovë, duke krijuar rrezik real për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Aktakuza i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.