Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, dyshohet se i shkaktoi dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

 

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, shkruan Demokracia.com.

Ai po akuzohet për dyshime për dallavere gjatë kohës sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës.

Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë për media.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Faruk Mujka, bashkë me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, i kanë dëmtuar dëm AKP-së mbi 125 mijë euro.

“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftim.

“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”. Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M”, përfundon komunikata.

Prokuroria Speciale e kishte arretuar Faruk Mujkën në korrik të vitit 2023.

Ai dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet se në këtë aksion janë sekuestruar 60 mijë euro, e se vepra për të cilën dyshohen Mujka dhe një ish zyrtar tjetër është Keqperdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’.’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.” “ – thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Rasti ndërlidhej me kohën kur Mujka kishte qenë nënkryetar i Mitrovicës.

Ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën duke bërë që objekti i bibliotekës në Mitrovicë, të kthehet në kafiteri.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës kishte kaluar nga prona shtetëror në pronë private.

Bashkë me të ishte arrestuar edhe Hysni Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, tash i emëruar drejtor në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 414, parasheh dënim nga 1 deri në 8 vjet për kryerjen e kësaj vepre. Por, kur dëmi e kalon shumën prej 5 mijë euro, dënimi mund të shkoj deri në 10 vjet burgim.

Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.” – thuhet në Kodin Penal. /Demokracia.com/