Prokuroria Speciale në një konferencë për media ka njoftuar ka dorëzuar sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë aktakuzë lidhur me dëbimin e popullsisë civile gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha kjo aktakuzë është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Mendoj se përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë. Është bërë një punë e madhe në mënyrë që aktakuza të mbështetet në prova, pavarësisht se është ngritur në mungesë të të pandehurve”, tha Isufaj.
Prokurori i çështjes, Atdhe Dema tha se aktakuza përfshin 21 të pandehur.
“Pas vitesh hetime intensive, përfundimisht sot kemi dërguar aktakuzën në Prokurorinë Themelore. Kjo aktakuzë është ngritur për krime lufte ndaj popullsisë civile që lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar-qershor 1999 në territorin e Kosovës, në kuadër të konfliktit të armatosur dhe luftës që ka ndodhur atëherë. Sipas provave të mbledhur, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit janë 21, duke ushtruar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura në zonat përkatëse në tërë territorin e Kosovës, pra bëhet fjalë për ushtrinë e atëhershme të Jugosllavisë dhe policinë e Serbisë, kanë pasur dijeni apo arsye të mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësisht nga e drejta ndërkombëtarë humanitare. Sipas aktakuzës, këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjërë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë sipas statistikave zyrtare”, tha prokurori i çështjes.