Prokuroria Speciale cakton prokurorin që do të hetojë rastin e kërcënimit ndaj Osmanit

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin e kanosjes se presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një njoftim, PSRK bën të ditur se që të enjten kur është njoftuar për kanosjen ndaj Presidentes, është caktuar prokurori përgjegjës për rastin, teksa ka shtuar se rasti do të trajtohet me prioritet.

“Për më shumë, pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë se Kosovës  për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar per kryerjen e kësaj vepre penale”.

“Ndërsa, të enjten kur edhe është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale tha se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit.

Gjatë ditës të premten, këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina ka thënë për Klankosova.tv se Policia e Kosovës ka konfirmuar sot se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror për të trajtuar këtë rast.

Kjo deklaratë e tij erdhi rreth një javë pas raportimit të fundit për një kërcënim me jetë në drejtim të Presidentes Vjosa Osmani, të cilin ajo e kishte pranuar përmes adresës elektronike zyrtare të Presidencës.