Prokuroria e Prishtinës po grumbullon dhe verifikon informacionet sa u përket pretendimeve për manipulime të mundshme me votat e dërguara me postë nga jashtë Kosovës si dhe ato të grumbulluara në përfaqësitë diplomatike.
Në opinionin publik gjatë ditëve të fundit është diskutuar për numrin e madh të votave që ka marrë LDK nga votat e dërguara përmes postës nga jashtë Kosovës, si dhe për numrin e madh të votave për LVV-së në kutitë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Për këto dy raste por edhe për rastin e ankesës së koalicionit PDAK-LPB për pretendimin për orkestrim votash nga PAI, i ka dërguar pyetje Prokurorisë, e cila ka konfirmuar se po grumbullojnë informacione.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar një informacion të tillë dhe ne jemi në fazën e grumbullimit dhe verifikimit të informacionit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në anën tjetër ka treguar se LVV ka dorëzuar dy ankesa për parregullsi nga fletëvotimet me postë dhe ankesën e PDAK-LPB.
“PZAP-i, lidhur me Administrimin dhe Numërimi në QNR për parregullsi të fletëvotimeve me postë ka pranuar dy ankesa nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB të cilët kanë pretenduar për orkestrim të votave nga jashtë prej Partisë së Ashkalinjve për Integrim”, thonë nga PZAP.
Për këto ankesa, PZAP ka marrë edhe vendime.
PZAP ka marrë vendim që të pranojë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për parregullsi gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Megjithëse ky vendim ka të bëjë me fletëvotimet që janë shpallur të pavlefshme në QNR e jo me pretendimet për manipulime votash në përfaqësi diplomatike dhe votave me postë.
Sipas vendimit, PZAP ka udhëruar Komisonin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që 21 fletëvotime të vlerësohen si të vlefshme dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar.
Lëvizja Vetëvendosje më 03.03.2025 ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në PZAP duke kundërshtuar pavlefshmërinë e qindra fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Në ankesën e LVV-së pretendohet se më 03.03.2025, komisionerë dhe vëzhgues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë identifikuar se gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prishtinë fletëvotimet janë shpallur të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik në shtypjet/printimet e fletëvotimeve përkatëse.
“Sipas parashtruesit të Ankesës theksohet se konkretisht bazuar në Dispozitat ligjore në fuqi, votuesi duhet vetë ta shtypë/printojë fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së. Në fletëvotimet përkatëse, gjatë këtij procesi të printimit vërehet se fletëvotimet nuk janë printuar si të plota, ndonëse vërehet qartë qëllimi i votuesit. Por, meqë ky nuk është rasti dhe votuesi ka printuar fillimisht fletëvotimin në kushte shtëpie, e diktuar ndonjëherë nga formati i dërguar e specifikat krejt teknike e teknologjike, duhet të kihet parasysh edhe qëllimi i votuesit, ashtu siç e përcakton edhe Ligji”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.
Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka pretenduar më 05.03.2025 se procesi i numërimit të votave me postë nga mërgata ka zbuluar parregullsi të shumta – duke lakuar edhe emrin e kandidatit për deputet të LDK-së, Hysen Çekajt.
“Parregullsitë pikësëpari kanë të bëjnë me rritjen artificiale të LDK-së me mbi 400%, krahasuar me votimin në përfaqësi diplomatike, por ato bëhen edhe më serioze kur analizohen votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekajn, si dhe të disa kandidatëve të tjerë. Derisa në Kosovë ai ka marrë 11,268 vota dhe vetëm 98 nga votimi në Ambasada, pas numërimit të votave me postë ai renditet si Kandidati i dytë më i votuar, me plot 12,000 vota”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët duken si kopje identike – ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi autenticitetin e tyre.
“Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në Konsullatën e Shtutgartit, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha Konsullatat e tjera në Gjermani – përfshirë Ambasadën në Berlin – ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në Ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5.” – ka shkruar ai.
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hysen Çekaj, ka reaguar pas hedhjes së dyshimeve nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për parregullsi në procesin e numërimit të votave me postë, ku mes tjerash është përmendur edhe emri i tij.
Pa përmendur emrin e partisë, por duke postuar fotografi me kreun e LVV-së, Albin Kurtin, ai ka thënë se “ata që dikur bënin fushatë duke përdorur emrin e babait të tij Sali Çekajt dhe që kërkonin mbështetje brenda familjes së tyre për të fituar votat e mërgatës, tash janë organizuar për të baltosur emrin e familjes së tij”.
Madje, Çekaj ka theksuar se ka pasur kërkesë nga LVV-ja që të jetë kandidat i tyre, por ka refuzuar.
“Ata që dikur bënin fushatë duke përdorur emrin e babait tim, ata që kërkonin mbështetje brenda familjes tonë për të fituar votat e mërgatës, ata që e quanin Shtutgartin Kryeqytet të mërgatës shqiptare, prej ku u nisën Sali Çekaj me trima në luftë për Kosovë; ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për Deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare”, ka shkruar ai në Facebook.
Çekaj ka marrë 12,000 vota nga votimi me postë, 98 vota në përfaqësi diplomatike, ndërsa 11,268 vota në qendrat e votimit brenda Kosovës.
Para tij, në lidhje me këtë çështje reagoi edhe kryetari i LDK–së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se Çekaj po sulmohet, sepse po duan “ta dekurajojnë, njollosin e zhvlerësojnë”.
“Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota. Merreni me mend, nga vetë mërgata. Nga vendi ku ka kaluar gjithë jetën e tij – me barrën e babës hero mbi supe – dhe me ëndrrën e madhe se një ditë do të kthehet në vendlindje në shërbim!” – ka shkruar ai në Facebook më 05.03.2025.
Abdixhiku është shprehur se Hysen Sali Çekaj qëndron fort dhe duron me dinjitet gjithë këtë sulm të egër – ende pa nisur mirë karrierën e tij politike.
“Si një njeri i urtë, si një djalë i jashtëzakonshëm, ai ka më së paku nevojë për mbrojtje. Tani me barrën e re të përfaqësimit, ka veç një mision. Të shenjtin para vetes. Që popullizmin rrënues, atë që po na mban peng në urrejtje, ta çrrënjosë me ka krejt, e herën tjetër të dyfishojë këtë mbështetje”, ka shtuar ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka shpallur si të pasafatshme ankesën e koalicionit PDAK-LPB ndaj Partisë së Ashkanlinjëve për Integrim.
Tutje në ankesë thuhet se orkestrim ka pasur edhe për Etem Arifin për votat nga qytetarët që jetojnë në Gjermani me prejardhje nga Lipjani dhe Shtimja.
Në PZAP, ankuesit kanë dorëzuar edhe disa video si prova materiale.
KQZ në përgjigje në ankesë ka thënë se pala nuk e ka precizuar mjaftueshëm gjendjen faktike dhe se nuk janë specifikuar arsyet e shkeljes së procesit të administrimit të numërimit në QNR, duke shtuar që pretendimet e palës nuk kanë bazë ligjore dhe nuk janë të mbështetura në prova bindëse dhe të qarta.
Për pjesën e ankesës për orkestrim të votave nga PAI, KQZ ka thënë se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në procedurat hetimore të organeve të drejtësisë, kjo për shkak se PDAK-LPB kanë dorëzuar rastin edhe në Prokurori.
PZAP ankesën e këtij koalicioni e shpalli të pasafatshme, ankesën për rezultatet e KQZ thotë se nuk qëndrojnë pasi që nuk janë rezultate përfundimtare, kurse ankesa për orkestrimin e votave nga data e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës dhe votim në grup e që kjo ankesë është parashtruar pas afatit ligjor.
Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96 %, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008. /Kallxo.com/