Prokuroria: Pantiqi mbajti xhaketën që ishte “uniformë” e Mbrojtjes Civile

Prokuroria Speciale ka propozuar administrimin e provave të reja në rastin ku katër serbë të veriut akuzohen për sulmin në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut. Prokurori pretendon se një raport policor që e ka marrë të martën vërteton se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut përdorën veshje të ngjashme e të tillë tha se barti edhe një nga të akuzuarit.

Është afër përfundimit në shkallë të parë gjykimi i katër të akuzuarve për sulmin terrorist të kryer në Zyrën e Komisionit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Milun Milenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq dhe Miomir Vakiq.

Në procedurën e administrimit të provave prokurori special, Bekim Kodraliu, i propozoi Gjykatës Themelore në Prishtinë ta pranojë si provë materiale, një raport policor të datës 13 maj 2025.

Sipas tij, kjo vërteton se organizatat terroriste Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut përdornin uniforma të njëjta me atë që e vishte i akuzuari Dejan Pantiq, si dhe kryerësit e sulmit terrorist në Banjskë.

“Ky raport përmban fotografi të pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile që kanë kryer detyrat e tyre në veri të territorit të Republikës së Kosovës që përmban veshjet verore dhe dimërore… Ne kemi gjetur edhe burimet ku janë blerë këto uniforma dhe se për çfarë arsyesh janë përdorur”, ka thënë prokurori Kodraliu.

Një nga fotografitë me veshje të tillë, sipas prokurorit, i akuzuari e ka fshirë nga telefoni i tij.

“Fotografia të cilën e ka bërë i pandehuri Pantiq e ka bërë me uniformën e Mbrojtjes Civile. Nga telefoni i ekzaminuar është konstatuar se të njëjtat fotografi janë fshirë fillimisht nga i pandehuri Pantiq, por me ekzaminimin e pajisjes telefonike janë nxjerrë këto fotografi të cilat janë gjetur në folderin ‘Trash’… Pa mëdyshje vërtetohet se i pandehuri ka pasur një rol kyç në Mbrojtjen Civile në kryerjen e aktit terrorist të datës 06.12.2022 në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë prokurori Kodraliu.

Ai e prezantoi edhe xhaketën që i është konfiskuar të akuzuarit.

“Kjo është jakna që është sekuestruar nga i pandehuri”, ka thënë prokurori special.

E Valon Kurtaj, kryetar i trupit gjykues, ka prezantuar detaje të uniformës.

“Xhaketa është e ngjyrës së kaltër e mbylltë, e hirtë dhe në të cilën është mbishkrimi i prodhuesit ‘Waikiki’”, ka thënë gjyqtari Kurtaj.

E, mbrojtësi i Dejan Pantiqit, Lubomir Pantoviq, e kundërshtoi propozimin për t’u marrë si provë xhaketa, ndërkaq theksoi se ajo është e zakonshme dhe mund të blihet nga kushdo në butikët e një marke të zakonshme.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë uniforme verore e as për xhaketë të Mbrojtjes Civile. Bëhet fjalë për një xhup të thjeshtë apo këmishë, të cilën të pandehurit Pantiq ia ka blerë për dhuratë vajza e tij… Me sa shoh, nuk ka kurrfarë shenje dhe ashiqare bëhet fjalë për xhaketë të thjeshtë dimërore, të cilën cilido qytetar mund ta blejë te dyqanet e ‘Waikikit’ dhe për këtë shkak pretendojmë se kjo provë në thonjëza për asgjë dhe në asnjë formë nuk mund ta vërtetojë atë që thuhet në aktakuzë – që është arsyeja pse jemi të gjithë këtu”, ka thënë avokati Pantoviq.

Prokuroria propozoi edhe pranimin si provë materiale të vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila i shpalli organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut në qershorin e 2023-tës.

Avokatët e të akuzuarve e kundërshtuan propozimin e prokurorisë duke thënë se sulmi në KKZ ndodhi gjashtë muaj para se dy organizatat të shpalleshin terroriste.

Me këtë vendim Qeveria pati vendosur në listën vendore të personave, grupeve dhe entiteteve të përfshira në akte terroriste këto dy organizata të mbështetura nga Serbia. Trupi gjykues konstatoi po ashtu se Shtëpia e Shëndetit në Mitrovicë të Veriut nuk i është përgjigjur kërkesës së gjykatës që ia ka kërkuar informatat se kush ka qenë në autoambulancën, me të cilën prokuroria pretendon se u bartën granatat e dorës me të cilat u sulmua KKZ-ja.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, tha se ajo nuk punon në sistem shëndetësor të Kosovës, por të Serbisë, ndërkaq avokati i Milun Milenkoviq, Predrag Milkoviq, tha se tërhiqet nga propozimi për ta marrë librin e shtëpisë së shëndetit.