Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit në vrasjen e Muhamed Likës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të gjithë të arrestuarit në rastin e vrasjes së policit nga Kaçaniku, Muhamed Lika.

Për Haki Belën, Rilind Muratin, Vatan Cakën, Edmond Likën, Shkëlqim Kukën dhe Diamant Gashin, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata, masën e vazhdimit të paraburgimit, pa specifikuar kohën edhe për sa muaj, me arsyetimin se “ende nuk kanë pushuar rrethanat dhe arsyet për të cilat është caktuar masa paraburgimi si dhe nevojitet të ndërmerren veprime hetimore në vazhdim dhe të nxirren edhe provat e cekura më lartë”, thuhet në kërkesë të Prokurrisë Themelore në Ferizaj të cilën e ka siguruar Klan Kosova.

Duke shtuar më pas se lënia në liri e të dyshuarve mund të ndikojë në dëshmitarët të cilët priten të intervistohen nga prokuroria, prishja e provave apo arratisja e tyre në tërësi. Kjo edhe për faktin se disa nga ta kanë të kaluar kriminale.

“Është e domosdoshme që në këtë fazë të procedurës të caktohet masa e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurve në procedurë penale, si dhe zhvillimit në mënyrë të suksesshme të kësaj procedure”, ka specifikuar prokurori i rastit.

Prokurori, Ismet Rrahmani, ndër të tjera në arsyetim ka thënë se “të gjitha provat në këtë çështje penale, së paku në këtë fazë të procedurës, të pandehurit kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje ‘Vrasje e rëndë’ për të cilën janë duke u zhvilluar hetime”.

“Për këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit, ka ndërmarr veprime hetimore me qëllim të përshpejtimit të zbatimit të hetimeve, e të cilat do të vërtetonin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit, kanë kryer veprën penale për të cilën me bazë dyshohet, ashtu që gjatë kësaj periudhe kohore janë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Kjo prokurori në kërkesë ka listuar të gjitha masat hetimore që ka inicuar për zbardhjen e këtij, por që aktualisht publikimi i tyre mund të ndikojë në prishjen e tyre në rast, duke përfshirë edhe “masat e veçanta hetimore”.

“Për faktin se deri më tani nuk kemi pranuar disa nga raportet e ekzaminimeve të kërkuara si më lartë, duke mos i përfunduar këto veprime hetimore para Prokurorit të Shtetit akoma mbrojtjen nuk e kanë paraqitur të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan jaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, prandaj akoma nuk kemi arritur që ti përfundojmë të gjitha veprimet hetimore. Po ashtu në procedurës në vazhdim planifikohet të dëgjohet përfaqësuesi i dëmtuar i viktimës si dhe dëshmitarët lidhur me këtë vepër penale”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë për vazhdim të masës së paraburgimit, drejtuar Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Për të dyshuarin tjetër, Rejhan Bela, i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti ishte akoma i mitur, rasti është veçuar.

Klan Kosova ka kontaktuar me avokatin e Rejhanit, Admir Salihun, i cili përmes telefonit ka thënë se nuk ka pranuar kërkesë për masë të vazhdimit të masës së paraburgimit “por ai është duke e vuajtë dënimin për rastin e më parshëm, dy vjetëshin. Nuk pres ta lirojnë, por po punojnë që koha e qëndrimit në paraburgim t’i llogaritet për rastin e mëparshëm”.

Avokati i Rilind Muratit, Musa Konxheli, ka thënë për Klan Kosovën se ka ushtruar ankesë për vazhdim të kësaj mase të re të zgjatjes së paraburgimit, sepse klienti i tij ka alibi dhe prokuroria duhet të zgjerojë hetimet për të mbledhur edhe prova të tjera materiale të cilat dëshmojnë pretendimet e palës së tij.

Këtë kërkesë të prokurorisë, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka pranuar por akoma nuk ka marrë vendim, meqë, sipas zëdhënëses së kësaj gjykate, Gentiana Hoxha, “ka ende kohë, për shkak se masa e parë e paraburgimit është ende në vazhdim deri më 20 maj të këtij viti”.

Ndërkaq përmes emailit, Hoxha ka thënë për Klan Kosovën se “ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Ferizaj më datë 14.05.2025 ka paraqitur Kerkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të gjithë të akuzuarve të cilët janë të dyshuar në rastin e rreshterit M.L.”.

Në narrativën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për këtë rast, më datë 1 maj të këtij viti “rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të, të hyjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryeje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për t’a privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshter Muhamed Lika, me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik”.

Prokuroria pretendon se “i mituri Rejhan Bela, me dashje dhe përgatiqe paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshter Muhamed Lika, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri”.

Në vend të ngjarjes, janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm. Nga plagët e marra, i ndjeri Muhamed Lika ka ndërruar jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ku ekipet mjekësosre kanë konstatuar vdekjen e tij.

Më pas, prokuroria pretendon se pasi ka shtënë në zyrtarin policor, i mituri Rejhan Bela “ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit ‘Dukagjìni’ ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës ‘Mejdi Dalloshi’ ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri”.

Nga pamjet e kamerave, thuhet se është vërejtur paraprakisht se i pandehuri Haki Bela “e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri Rejhan rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjajes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”.

Për të pandehurin Vatan Caka, prokuroria pretendon se e ka parë në shoqëri të Rilind Muratit dhe Rejhan Belës, “ku të njëjtit para kryerjes së veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes (kamerat e sigurisë të marketit “Besa”, ora 21:54)”.

Në video incizime, prokuroria thotë se ka parë të pandehurin Edmond Likën në shoqëri të të pandehurve, “ku së bashku me të pandehurin Shkëlqim Kuka e përcjellin rreshterin Mohamed Lika nga dalja nga Stacioni Policor ku i pandehuri Edmond deri sa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Shkëlqim dhe vazhdon me e veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës ndërsa i pandehuri Shkëlqim vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë themelore në Ferizaj, për vazhdim të masës së paraburtimit për të pandehurit të cilën e ka siguruar Klan Kosova.

Ndërsa për të dyshuarin tjetër, Diamant Gashi prokuroria thotë se ai “përmes telefonit kontakton të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjana tjera të miturit Rejhan Bela”.

Me të gjitha këto, Prokuroria Themelore në Ferizaj, thotë se “dyshohet të kenë kryer në bashkëkryerje veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Për këtë rast dhe motivet e vrasjes së rreshterit nga Kaçaniku, Muhamed Lika, emisioni MAT në Klan Kosova, kishte realizuar një hulumtim në të cilin kishte publikuar dyshimet rreth një piste të re të hetimeve për këtë rast dhe alibitë e familjarëve të të arrestuarve aktual si të dyshuar në këtë rast.