Prokuroria kërkon pesë vjet burgim për Dodikun

Referendum për shkëputjen e Republikës Serbe (RS), heqje të kompetencave të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës në territorin e këtij entiteti dhe tërheqje nga institucionet shtetërore.

Këto janë opsionet me të cilat kërcënon Millorad Dodik, president i Republikës Serbe, nëse Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënon për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Përveç Dodikut, në gjyq është edhe Millosh Llukiq, ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së.

Nëse shpallen fajtor, ata përballen me dënime me burgim deri në pesë vjet, shkarkim nga detyra dhe ndalim të ushtrimit të funksionit.

Fjala përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut dhe Llukiqit paraqiten më 19 shkurt, pas së cilës trupi gjykues ka tri ditë kohë për të marrë një vendim – afat që, sipas kërkesës së tyre, mund të zgjatet.

Dodik, bashkëpunëtorët e tij politikë dhe partnerët e koalicionit, në një takim në Banja Llukë më 17 shkurt në mbrëmje, vendosën se RS-ja është “e gatshme për marrjen e vendimeve radikale” nëse shqiptohet një vendim dënues.

Pas takimit, u bë e ditur se të gjithë përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës do ta ndërpresin punën në rast të një vendimi dënues.

Gjithashtu, u njoftua për një iniciativë që Kuvendi Popullor i RS-së të jetë në “seancë të përhershme, për shkak të situatës aktuale shoqërore dhe politike”.

Kushtetuta e RS-së tashmë përcakton që ky organ legjislativ të punojë në seancë të përhershme, ndërsa seancat e tij thirren nga kryetari i Parlamentit.

Në ditën e seancës përfundimtare, më 19 shkurt, Qeveria e RS-së do të takohet me të gjithë kryetarët e komunave dhe kryetarët e qyteteve të RS-së, pas së cilës do të mbajë një mbledhje.

Tërheqja nga institucionet shtetërore

Ndërprerja e punës në institucionet shtetërore është hapi i fundit konkret i shpallur nga autoritetet e Republikës Serbe.

“Të gjithë përfaqësuesit e popullit serb dhe të Republikës Serbe në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe të gjithë të punësuarit në institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, do të tërhiqen nga institucionet dhe do ta ndërpresin punën”, u bë e ditur pas takimit të 17 shkurtit në Banja Llukë.

Koalicioni qeverisës në RS, i udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Dodikut, shpeshherë ka kërcënuar edhe më parë me tërheqjen nga institucionet e Bosnjë e Hercegovinës nëse vendimet në nivel shtetëror nuk janë në përputhje me interesat e tyre.

Për mospjesëmarrje në seancat e organeve shtetërore nuk parashikohen sanksione, dhe duke marrë parasysh mekanizmat e nevojës së shumicës etnike dhe të entiteteve, në këtë mënyrë mund të bllokohen të gjitha proceset në shtet.

Në korrik të vitit 2021, përfaqësuesit e RS-së u tërhoqën nga Parlamenti, Këshilli i Ministrave dhe Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës, pasi përfaqësuesi i atëhershëm i lartë, Valentin Inzko, imponoi ndryshime në Kodin Penal të shtetit, me të cilat ndalohej mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës.

Bllokada e pushtetit përfundoi pak më shumë se gjysmë viti më vonë, më 1 shkurt 2022, kur parlamenti i entitetit miratoi një përfundim që u lejonte zyrtarëve të zgjedhur nga RS-ja të merrnin pjesë në seancat e institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por që në vendimmarrje të “respektonin qëndrimet dhe vendimet e institucioneve” të entitetit.

Herën e tjetër kur politikanët nga Republika Serbe kërcënuan me tërheqje nga institucionet shtetërore ishte në shtator të vitit 2023, nëse, siç thanë atëherë, “do të vazhdonin provokimet e Christian Schmidt”.

Referendumi për shkëputje

Në fillim të janarit, Dodik deklaroi se në rast të një vendimi dënues do të mbahet një referendum për pavarësinë e Republikës Serbe.

“Nëse jepet një vendim i tillë, çfarëdo që të thonë të tjerët, menjëherë do të keni një vendim të Parlamentit për ndarjen nga Bosnja dhe Hercegovina dhe do të keni një referendum për pavarësinë e Republikës Sërpska “, tha Dodik në një intervistë për Radio-Televizionin e RS.

Republika Serbe e ka përfshirë referendumin në Kushtetutën e saj të entiteteve dhe në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare. Përveç komunave dhe qyteteve për çështje lokale, një referendum mund të organizohet në nivel entiteti “për çështje që janë në kompetencë të Kuvendit Popullor të RS-së”.

Republika Serbe nuk mund të shpallë referendum për një çështje shtetërore, as sipas Kushtetutës së entitetit, as sipas asaj shtetërore. Pyetja e referendumit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës, si dokumenti kryesor juridik i shtetit, nuk e parashikon fare këtë mënyrë të vendimmarrjes.

Gjithashtu, çdo përpjekje për shkëputje do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila është pjesë e saj.