Prokuroria kërkon nga Apeli dënim për noterin e liruar nga akuza për korrupsion

Në seancën e Gjykatës së Apelit të mërkurën u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka kërkuar që noteri i liruar nga akuza për korrupsion, Sinan Visoka dhe i akuzuari tjetër Lirim Mustafa ndaj të cilit ishte refuzuar akuza- të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Kurse, mbrojtja e Visokës, avokati Halit Shaljani kërkoi që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet.

Në këtë rast, Visoka akuzohej se ka keqpërdorur detyrën zyrtare me përpilimin e aktvendimit për shqyrtim të trashëgimisë duke mos përfshirë trashëgimtarët ligjorë, ndërsa Lirim Mustafa në bashkëkryerje me Visokën akuzohej për veprën penale të mashtrimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 dhjetor 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Sinan Visokës, ndërkaq për të akuzuarin Lirim Mustafa kishte refuzuar akuzën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përmes ankesës, Prokuroria ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, ashtu që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat që akuzohen dhe t’iu shqiptohet një dënim sipas ligjit ose çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa, avokati Shajlani tha se qëndrojnë pranë përgjigjes në ankesës dhe konsiderojnë se Prokuroria nuk ka paraqitur prova me të cilat do të mund të kishte ndonjë aktgjykim tjetër. Tha se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në prova.

Gjithashtu, avokati Shajlani, ka dorëzuar një provë- përkatësisht një aktvendim me të cilin është konsideruar e tërhequr kërkesëpadia e palës së dëmtuar, gjë e cila vërteton se ai nuk ka qenë i dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Avokati tha se ankesa e Prokurorisë është e pabazuar dhe i propozoi kolegjit të Apelit, që ta refuzojë si të pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka ngarkohej se në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, kishte përpiluar aktvendim me të cilin kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit R.M për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror. Ndërsa, i akuzuari Lirim Mustafa thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.

Visoka akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “Mashtrimi”./BetimipërDrejtësi