Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në mbrojtje të ministres së tij, Rozeta Hajdari, pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion në rastin për “Rezrvat Shtetërore”.
“Gjithçka që ka thënë ministrja Hajdari në konferencën pas ngritjes së aktakuzës është e vërtetë dhe e saktë. Unë nuk mund të dyfishoj ministrat e mi, sepse për ata janë ministrat. Por natyrisht, unë e marr përgjegjësinë e plotë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Unë besoj se Prokuroria në atw rast ka bërë shkelje e jo ministrja Rozeta Hajdari. Por do të sqarohet përgjatw procesit në të cilin ministrja Hajdari është plotësisht bashkëpunuese,” tha Kurti në Kanal 10.
Kurti gjithashtu e lavdëroi lartë punën e saj. “Për herë të parë, Kosova ka pasur rezerva për të qenit dhe ajo e ka bërë më të mirën e mundshme. Asgjë s’ka qenë joligjore. Në një situatë të jashtëzakonshme, ajo është treguar shumë mirë. Nuk ka asnjë motiv për përfitim personal, dhe nëse ka aktorë të tjerë që nuk i kanë përmbushur zotimet, kjo nuk duhet t’i bëjë fajtorë dhe përgjegjëse ministren Hajdari.”
Më 11 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore një aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj tre të tjerëve, për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
Prokuroria tha se Hajdari, dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre, tha Prokuroria në një njoftim.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akurzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmimin në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës Muharremi më pas u kishte krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Gara, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovica, drejtor i departamentit për integrime evropiane, ishin arrestuar më 2023 për këtë rast.











