Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin e kaluar ka filluar hetimet për dyshime të keqpërdorimit në lidhje me kontratën e Komunës së Prishtinës me kompaninë private “Shërbimi i Arkitektit të Kosovës” (SHAK) për kontratën “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”, shkruan Demokracia.com.
Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte deklaruar se ishte duke hetuar kontratën 12-milionëshe për Shërbimin e Arkitektit në Komunën e Prishtinës. Megjithatë, në atë fazë, prokuroria nuk kishte dhënë detaje shtesë, duke u arsyetuar me ndjeshmërinë e rastit.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informojmë se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione të tjera”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë në atë kohë.
Por edhe tani, pas nëntë muajsh nga nisja e hetimeve, Prokuroria nuk dëshiron të japë asnjë detaj lidhur me atë se në cilën fazë kanë arritur hetimet dhe se kush është prokurori i rastit.
Pavarësisht hetimeve – nëse janë duke u zhvilluar, dhe pa marrë parasysh se si do të përfundojnë ato, kompania e kontraktuar nga Komuna ka vazhduar të realizojë disa projekte për komunën, edhe pasi prokuroria mori në dorë lëndën. Madje, ato projekte janë tenderuar edhe si të tilla. Demokracia.com ka raportuar disa herë se këto projekte kanë pasur mangësi, pasi nuk është kërkuar nga kompania pëlqimi i Ministrisë së Kulturës kur janë paraparë punime në zona të mbrojtura. Ishte detyrë e projektuesit që të sinjalizonte komunën për këtë, pasi një kërkesë e tillë është e përcaktuar në kontratë kur bëhen projekte.
Pika 13.2 e kontratës thekson se:
“Konsulenti duhet të respektojë të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi në Republikën e Kosovës dhe do të sigurojë që personeli i tij, vartësit e tyre dhe punonjësit e tij të respektojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi”.
SHAK nuk ka dhënë përgjigje për këto pyetje:
-
Dihet se SHAK ka kryer disa projekte për Komunën e Prishtinës, për të cilat tashmë janë nënshkruar kontrata, si për Ishullin Urban në Arbëri, sheshin George Bush dhe kontrata që pritet të nënshkruhet për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”. Në këto tri projekte, a është kërkuar pëlqimi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, siç kërkohet nga MKRS?
-
Janë ndaluar punimet në sheshin George Bush për shkak të mungesës së pëlqimit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. A mund të na sqaroni, bazuar në kontratën që SHAK ka me Komunën e Prishtinës, lidhur me obligimet e konsulentit në pikën 13.2 për respektimin e ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës? A i keni respektuar këto ligje dhe rregullore gjatë dorëzimit të projekteve tuaja në Komunë?
-
A kanë projektet që përmendëm më lart kushte ndërtimore dhe leje ndërtimi?
Demokracia.com ka raportuar disa herë për dyshime mbi lidhjen e kundërligjshme të kontratës mes Komunës së Prishtinës dhe SHAK që kapë një vlerë 12 milionë euro. /Demokracia.com/