Prokuroria heq nga lista 738 “veteranë të rrejshëm”

Prokuroria në aktakuzën e parë të rastit Veteranët kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës. Mirëpo, në përmirësimin që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Prokuroria, kjo e fundit në aktakuzën e re i ka hequr nga lista e veteranëve të rrejshëm 738 emra.

Janë bërë plot 1 vit që kur lajmi.net për herë të parë raportoi për aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës kundrejt 12 anëtareve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Pas raportimit dhe publikimit që bëri lajmi.net të emrave të 20.238 veteranëve të rrejshëm pati një reagim të ashpër të opinionit të gjerë kosovar.

Sqarim: Kjo është përmbajtje e aktakuzës së vjetër


Në adresën e lajmi.net asokohe arritën shumë fakte të ish-luftëtarëve të UÇK-së që kishin qenë me të vërtetë pjesë e luftës, por ishin të përfshirë si veteranë të rrejshëm.

Kjo bëri që të reagojnë edhe instancat më të larta shtetërore. Ramush Haradinaj, asokohe kryeministër tha se veteranët do të vazhdojnë të marrin pensionin dhe do të ketë verifikim për secilin veç e veç dhe askush nuk do të ketë të drejtë t’i mohoj sakrificën e bërë gjatë luftës.

Ndryshe liderët e tjerë të shtetit e pranonin se numri prej 46.230 veteranë nuk ishte real dhe se ishin bërë manipulime të mëdha. Rasti ngacmoi edhe ambasadat e vendeve të huaja në Kosovë, të cilat kërkuan sa më shpejt të pastrohen listat.

Sido qoftë pas reagimeve të shumta Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte kthyer mbrapsht aktakuzën për përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës. Prokuroria përmirësoi aktakuzën dhe ia dërgoi edhe një herë Gjykatës në dhjetor të 2018.

Në aktakuzën e parë përfshiheshin hiç më pak se 20.238 emra që marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës nga ku prokuroria kishte kërkuar që të pezulloheshin pensionet për gjithë emrat e përfshirë në aktakuzë.

Pensionet nuk u ndalën ndërsa aktakuza me përmirësime thotë se tani në listën e veteranëve të rrejshëm janë 19.500.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të qartësuar se si janë larguar 738 emra nga lista e veteranëve të rrejshëm, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajmi.net ka arritur të sigurojë procesverbalin lidhur 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët”: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave tjerë të përfitojnë kundërligjshëm, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës se Kosovës.

“Gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri 30.01.2017, të pandehurit e lartëcekur, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit tё Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe tё Internuarit tё Luftës sё Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët punën e tyre e kishin kryer në hapësira te ndërtesës së Qeverisë se Republikës së Kosovës në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave tjerë të përfitojnë kundërligjshëm, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës se Kosovës, me veprim dhe mosveprim në atë mënyrë që;të pandehurit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu”, thuhet në aktakuzën që posedon lajmi.net.

Më pas thuhet se: në vazhdimësi të këtij procesi, të pandehurit Agim Çeku, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, në kundërshtim me Liget dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni, ua kanë mundësuar dhe njohur personave tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshëm statusin e Veteranit Luftëtar të UÇK-së , përkundër faktit se nga aplikacionet e plotësuara dhe dorëzuara vërtetohet qartë se ata u takonin kategorive tjera të veteranëve.

Prokuroria thotë se të pandehurit paraprakisht, duke mos përmbushur detyrat e tyre zyrtare,para përfundimit të procesit të ankesave dhe para miratimit të listave përfundimtare veçse kishin filluar shpërndarjen e certifikatave të veteranit luftëtarë.

“Pastaj, të pandehurit, të vetëdijshëm se po legalizojnë kundërligjshëm një proces të verifikimit dhe njohjes së statusit të Veteranit Luftëtarë të UÇK-së, me qëllim kanë injoruar nënshkrimin e faqes së tretë të aplikacioneveme të cilin veprim do të vërtetohej saktësia e të dhënave të paraqitura si dhe njohja apo refuzimi i statusit të kërkuar.

Në fund të pandehurit kanë kaluar në aprovimin përfundimtar të një numri të përgjithshëm prej 46.230 (katër dhjetë e gjashtëmijë e dyqind e tridhjetë) Veteran Luftëtarë të UÇK-së,nga i cili proces janë identifikuar 19,500 aplikues veteran luftëtar me aplikacione që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara e të cilët marrin pensionin e paraparë për këtë kategori, si pasojë nga fillimi i vitit 2015 deri në muajin gusht të vitit 2018 buxhetit të Republikës se Kosovës i kanë shkaktuar dëmin në shumën prej 88,769,217,04 euro”, thuhet në aktakuzën e re.

Prokuroria ka propozuar që Gjykata të lëshoj masën e përkohshme për sigurimin e kërkesës pasuror juridike, përmes të cilës të urdhëroj që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës-Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, të pezulloj pagesën e pensioneve për19,500 përfituesit -veteranë luftëtar, deri në përfundimin e procedurës penale.

Pensionet e marra nga veteranët e rrejshë, të cilësuar kështu nga prokuroria, nga fillimi i viti 2015 deri në muajin gusht 2018 buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëmin në shumën prej 88,769,217.04euro, e cila nëse llogaritet për çdo muaj dëmi është 3,315,00 euro.

“Duke u bazuar në nenin49 par. 1 nën paragrafi 1.1, nenin 459 dhe nenit467 par. 1 dhe 2 dhe neni 469 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, që Gjykata të lëshoj masën e përkohshme për sigurimin e kërkesës pasuror juridike, përmes të cilës të urdhëroj që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës-Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, të pezulloj pagesën e pensioneve për19,500përfituesit -veteranë luftëtar, deri në përfundimin e procedurës penale.”

“Kërkesën në fjalë e mbështesim në faktin se gjatë zhvillimit të hetimeve, kemi ardhur në përfundim se të njëjtit nuk i plotësojnë kriteret e parapara për të fituar statusin e Veteranit luftëtar të UÇK-së, të parapara me Ligjin nr. 04/ L-261, dhe se njohja e statusit të cekur është realizuar si rezultat i veprës penale të të pandehurve, dhe se përmes veprës, ata janë dukerealizuar dobi pasurore, si pasojë nga fillimi i viti 2015 deri në muajin gusht 2018 buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëmin në shumën prej 88,769,217.04euro, e cila nëse llogaritet për çdo muaj dëmi është 3,315,00 euro”, thuhet në aktakuzë.Kujtojmë, se prokuroria gjatë mbledhjes së fakteve ka intervistuar disa persona, ndër ta Sami Lushtakun, Rrahman Rama, Avdi Rraci, Hysni Ngucati, Spiro Butka, Bujar Shala.

Prokuroria, gjithashtu thotë se posedon audio-incizime dhe dokumentacione nga më të ndryshme që vërtetojnë se të lartpërmendurit kanë abuzuar me detyrën zyrtare.

Ky rast ka qenë mjaftë kompleks dhe sfidues, theksohet mes tjerash aty duke kujtuar se ka pasur miliona faqeve të cilat është dashur të shfletohen dhe lexohen në rreth 800 foldera material dhe dokumente të ndryshme, pa llogaritur veprimet tjera hetimore dhe materialin e siguruar nga këto veprime hetimore.

Përkundër kësaj, tema e veteranëve, në këtë kohë fushate, është rikthyer përsëri në diskutim, kjo pas pretendimeve të Organizatës së Veteranëve të Luftës se ende po lëshohen certifikata të veteranëve edhe në këtë periudhë.OVL e UÇK-së bëri thirrje të mos bien pre, e siç thonë ata manipulimeve.

“Si OVL UÇK, i ftojmë të gjithë që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, dukuri e cila në kohën e fundit është duke u shpeshtuar, sepse kjo është e pakuptimtë në kohën kur jemi në procesin e hetimeve nga prokuroria. Nga Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kërkojmë që ta parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave, të cilat edhe ashtu e kanë kompromituar procesit dhe vet statusin e veteranit”, është thënë në komunikatën e OVL UÇK-së.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe Gazmend Syla nga Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta ku thuhet se është përgjegjësi e Komisionit të konstatoj statuset e kategorive të dala nga lufta.

Në anën tjetër, Syla ka thënë se: “Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike”, duke e lënë mjegull mbi këtë situatë dhe duke kërkuar nga OVL të mos lëshojë komunikata të tilla, sipas tij, politike