Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar nga 45 vite burgim për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurorja e Specializuar, amerikanja Kimberley West tha sot gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në një seancë të Dhomave të Specializuara se Prokuroria kërkon burgim individual për secilin nga katër të akuzuarit.
Ajo tha se Prokuroria nuk kërkon dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si entitet, por për individët e pandehur.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, tha ajo.
West, gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorisë, përmendi disa nga krimet e dyshuara për të cilën akuzohen katër ish-krerët e UÇK-së.
Prokuroria e Specializuar do të japë sot dhe nesër paradite fjalën e saj përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Më pas është radha për avokatin e viktimave, dhe pastaj për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Më 18 shkurt është planifikuar ta thonë fjalën e tyre edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.










