Prokuroria e Shtetit dhe Policia intensifikojnë veprimet kundër fajdesë

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë mbajtur një takim me kryeprokurorët si dhe drejtorët e njësive të hetimeve në Policinë e Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi, ishte intensifikimi i veprimeve të përbashkëta për luftimin e veprimtarisë kriminale të fajdesë Kosovë.

“Gjatë diskutimeve u theksua se vepra penale e fajdesë paraqet një kërcënim serioz për sundimin e ligjit, rendin kushtetues dhe mirëqenien e qytetarëve. U vlerësua se përballja me këtë aktivitet të kundërligjshëm kërkon strategji të mirëfillta dhe veprime të koordinuara, të vendosura dhe të vazhdueshme nga të gjitha institucionet ligjzbatuese”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, së bashku me kryeprokurorët dhe drejtorët e njësive të hetimeve, ritheksuan përkushtimin e plotë institucional për hetimin, ndjekjen dhe goditjen me vendosmëri të çdo individi apo grupi kriminal që përfiton në mënyrë të jashtëligjshme përmes fajdesë ose veprimtarive të tjera kriminale.

“Ata konfirmuan edhe angazhimin për ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurive të fituara nga këto veprimtari të kundërligjshme”.

The post Prokuroria e Shtetit dhe Policia intensifikojnë veprimet kundër fajdesë appeared first on Kosovapost.net.