Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se tashmë është kryprokurorja Lumturije Vuçetaj ka autorizuar një prokuror nga departamenti i krimeve të rënda për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me pretendimet se në Komunën e Junikut kanë votuar persona që s’ka qenë fare banorë të Komunës.
Nikçi ka thënë se me të marrë informatat për këto pretendime, Prokuroria është vënë në lëvizje.
“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin e nga departamenti i krimeve te renda për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi.
Lidhur me këto pretendime, të mërkurën në Pressing ka folur edhe Daut Haradinaj, i cili ka kërkuar nga organi i akuzës që të hetojë urgjentisht.
“Ne Junik edhe matje edhe statistika, edhe njohës të asaj zone, jemi të befasuar e të çuditur për këtë rezultat, për këtë pjesëmarrje kaq të madhe, e pjesëmarrja është pak e dyshimtë sipas meje aty ka ndodhur një skemë kriminale, njerëzit që nuk jetojnë fare aty, as nuk e dinë ka i bie Juniku, janë bërë votues të Junikut”, ka deklaruar ai.
“Unë i kam bërë mbiemrat e kisha pas qef edhe me i lexu, bile Juniku që i njohin njëri tjetrin e dinë që këta mbiemra në Junik kurrë s’kanë ekzistu, për shembull mbiemrat Mustafa, Zeqiraj, Alimusaj, Tolaj, Latifaj, Delijaj, Lokaj, Nitaj, Mazreku, Selimaj, Daci, Zaimi, Dabiqaj, Bozhdaraj, Zejnaj, Asllanaj, Alimehaj, Sadrijaj, Shabani, Blakaj, Bahtijari, Musa”, ka thënë Haradinaj./GazetaExpress/