Në fund të procesit të saj në rastin e krerëve të UÇK-së, Prokurorisë së Hagës i kanë dalur disa probleme me dëshmitarë.
Së fundmi, vetë Prokuroria e ka pranuar se i ka humbur kontaktet me një dëshmitar të rëndësishëm në rastin e krerëve të UÇK-së.
Në parashtrimin të cilin e ka parë Nacionale, Prokuroria ka bërë të ditur se nuk po mund të sigurojë kontakt me këtë dëshmitar.
Ata as nuk kanë mundur ta lokalizojnë me vendbanimin ku ka qenë, as me thirrjet telefonike, e as me format e tjera.
“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse, ZPS ka shteruar përpjekjet e arsyeshme për të ndjekur dhe siguruar paraqitjen e Dëshmitarit W04260. Dokumentacioni i bashkangjitur në Aneksin 38 përshkruan kontaktet e Prokurorisë me dëshmitarin që nga [REDAKTUAR]. ZPS ka dështuar të ndjekë dëshmitarin me kujdesin e duhur. Siç është përshkruar në shënimin zyrtar të bashkangjitur, Prokuroria ka bërë kërkesa të shumta për të ekzaminuar të dhënat dhe bazat e të dhënave të disponueshme, ka vëzhguar [REDAKTUAR] dhe vendet e tjera ku dëshmitari ishte i njohur për të frekuentuar, dhe ka tentuar të kontaktojë dëshmitarin në të gjitha numrat e telefonit që ai ka përdorur më parë. [REDAKTUAR], çdo masë tjetër për të ndjekur dhe lokalizuar dëshmitarin për qëllim të sigurimit të dëshmisë së tij”, thuhet në parashtresë, raporton Nacionale.
Prokuroria për këtë, ka fajësuar dikë, por që nuk dihet pasi informacioni është konfidencial. Nuk dihet nëse fjala është për ndonjë institucion, apo çka.
Kohëve të fundit Prokuroria është ankuar se e ka pasur të pamundur të sigurojë dëshmitë e dëshmitarëve që janë nëpër vendet e Evropës.
“Për më tepër, Dëshmia e Propozuar e W04260 është gjithashtu e pranueshme sipas Rregullës 155(2), pasi plotësohen të gjitha kriteret përkatëse: (i) W04260 ka dështuar të paraqitet si dëshmitar; (ii) ky dështim është ndikuar në mënyrë të dukshme nga ndërhyrje të papërshtatshme, siç dëshmohet nga [REDAKTUAR]; (iii) janë bërë përpjekje të arsyeshme për të siguruar paraqitjen e W04260 si dëshmitar”, thuhet më tutje.
Si rezultat, Prokuroria ka kërkuar që të pranohen provat dhe dëshmitë e dhëna më parë nga ky dëshmitar.
Ngjashëm, ka bërë kërkesë edhe për disa dëshmitarë të tjerë që të pranohen si dëshmi me shkrim, ose të incizuara.
Aktualisht, provat e Prokurorisë janë drejt fundit. Deri më tash, kanë dëshmuar 125 dëshmitarë në gjykatore.