Prokuroria del me detaje për aksionet në 20 lokacione

Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar aksion në 20 lokacione, përkatësisht në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, nën asistencën e Inspektoratit të Punës.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se ky aksion u bë në punimet e banesave kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve për shëndetin dhe jetën e tyre në vendin e punës nga kompanitë kontraktuese për kryerjen e punimeve.

“Nga ky aksion gjithëpërfshirës, me autorizimet e prokurorit të shtetit janë shoqëruar në stacionet policore personat përgjegjës të kompanive kontraktuese dhe si rrjedhojë janë mbyllur shtatë vend punime, dy në qytetin e Pejës, tri në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në raste ku ka pasur elemente të veprave penale janë iniciuar raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Vlen të potencohet fakti se në Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë periudhës gjashtë mujore janar- qershor 2025, janë pranuar gjithsej 19 raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “, ku për fat të keq tre punëtor kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kurse në 16 raste tjera kanë pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e tyre të punës.

Prokuroria Themelore e Pejës, mbetet e përkushtuar për sigurinë e secilit punëtor dhe qytetarë që mund ti rrezikohet shëndeti apo jeta në çfarë do forme: “ Andaj, inkurajojmë secilin qytetarë që ka informacion për raste të tilla të bashkëpunojë me Prokurorinë Themelore të Pejës apo Policinë e Kosovë, në mënyre që shkelësit e ligjit të ndiqen penalisht dhe të vihen para drejtësisë”.