Zëvendëskryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e rezervave shtetërore dhe dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Sipas zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, intervistimi i Bislimit është bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z. Besnik Bislimi”, deklaroi Luta, duke shtuar se për shkak të fazës së hetimeve, nuk mund të jepen detaje të mëtejme.
Ndërkohë, Bislimi përmes një postimi në rrjetet sociale tha se asnjë nga pyetjet që iu drejtuan gjatë intervistës nuk mund të konsiderohen si pyetje për një dëshmitar. Sipas tij, informacionet që ai ka dhënë mund të ishin siguruar lehtësisht nga dokumentet zyrtare.
Ai kritikoi mënyrën e trajtimit të çështjes duke thënë se ftesa për intervistim ishte më shumë një akt mediatik sesa një nevojë hetimore.
“Del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’. Skandal që origjinën nuk e ka as në ministrinë përkatëse dhe as në prokurori, por te eksponentë të medias,” shkroi Bislimi.
Zëvendëskryeministri u përmend në këtë çështje nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili më herët kishte deklaruar se Bislimi kishte shprehur shqetësim për mosfunksionalizimin e fabrikës dhe e kishte konsideruar çështjen si prioritet, pavarësisht kostove.
Më 27 maj, Prokuroria Speciale zhvilloi një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Ushqim dhe Veterinari, si dhe në një kompani private. Ky aksion u zhvillua në katër lokacione dhe u shoqërua me bastisje për mbledhjen e provave.
Pas këtij aksioni, ministri në detyrë Faton Peci u intervistua në cilësinë e të dyshuarit. Ai reagoi publikisht duke theksuar se të gjitha vendimet e tij janë të dokumentuara dhe transparente.
Sipas raportimeve mediatike, dëmet që kjo kontratë i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës mund të shkojnë deri në 60 milionë euro. Hulumtimet kanë zbuluar skema të fshehjes së pronarëve të vërtetë të kompanive të përfshira, përfshirë një kompani të regjistruar në Mal të Zi me lidhje me një kompani në Beograd dhe pronar shtetas serb.
The post Prokuroria deklarohet pas intervistimit të Bislimit: Ishte dëshmitar në rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore appeared first on Kosovapost.net.