Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Herolinda Murati-Leka, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj.
Përmes një letre, Murati-Leka ka thënë se e ka paraqitur dorëheqjen e saj për arsye të shumta institucionale, etike dhe morale të cilat, sipas saj, e kanë bërë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të ushtrimit të funksionit të saj.
Në letrën e dorëheqjes thuhet se, ajo është përballur me veprime të papranueshme dhe të pashembullta në një institucion publik.
Por, çfarë ndodhi?
Burimet e Gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se dyshohet që disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thyer çelësin e zyrës së drejtoreshës në objektin e komunës dhe kanë hyrë brenda.
Në lidhje me këtë edhe vet, Murati-Leka, e ka pranuar se dikush ka hyrë në zyrën e saj në komunë.
“Persona të paautorizuar dyshohen se kanë hyrë në zyrën time kur unë nuk kam qenë në ambientet e punës. Ky akt është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentativë për të më treguar se nuk jam e dëshiruar në këtë qeverisje komunale.” – ka shkruar Murati-Leka.
Tutje, ajo thekson se për këto dhe për shume arsye të tjera, ka marrë vendim për dorëheqje, e bindur se në një ambient të tillë nuk mund të kontribuohet në mënyrë profesionale.


E në lidhje me këtë, Gazeta Nacionale i është drejtuar Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe në lidhje me këtë kanë njoftuar se kanë autorizuar Policinë e Kosovës për nisjen e hetimeve.
“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime hetimore.” – thuhet në përgjigjen e zëdhënës së Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini për Nacionalen.
Pas dorëheqjes së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa, ka reaguar edhe kreu i Gjilanit, Alban Hyseni.
Hyseni është shprehur se është i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura dhe se i ka ndjekur me vëmendje të gjitha akuzat e bëra publike.
Ai tutje ka mohuar se dikush nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mundur të hyjnë në zyrën e drejtoreshës Muratit-Leka.
“Si kryetar i komunës, siguroj qytetarët se institucioni ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes.” – ka shkruar ndër të tjera Hyseni.