Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka lëshuar autorizime shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5-vjeçar në komunën e Lipjanit.
Prokuroria ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan apo zyrtarëve tjerë të kësaj komune në këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5 vjeçar në komunën e Lipjanit. Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete”, thuhet në njoftim.
Klinika e Pediatrisë njoftoj të mërkurën se 5-vjeçari që dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit në Lipjan, i cili është hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Lidhur me rastin, prindërit e fëmijës janë arrestuar dhe iu është caktuar masa e paraburgimit.










