Që nga shpërthimi i coronavirusit në vendin tonë, mediat kanë raportuar në vazhdimësi për numrin e personave që kanë vdekur nga ky virus, gjithnjë duke pasur parasysh njoftimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Por profesori i Universitetit të Prishtinës në Degën e Gazetarisë, Milazim Krasniqi, vlerëson se raportimet serike të medieve për vdekjet e të sëmurëve nga coronavirusi, tashmë nuk janë brenda standardeve profesionale dhe etike të raportimit.
Sipas Krasniqit nuk paraqet interes për publikun raportimi për vdekjen e njeriut të sëmurë, përveç rasteve të personave publikë, pasi thotë se po të raportoheshin të gjitha vdekjet e të sëmurëve, gazetaria do të ishte vetëm nekrologji.
Ai thotë se në fillim ka pasur një kuptim raportimi i vdekjeve, por tash edhe kjo sëmundje sipas tij është ngulitur si sëmundjet tjera.
Postimi i tij:
Raportimet serike të medieve për vdekjet e të sëmurëve nga koronavirusi, tashmë nuk janë brenda standardeve profesionale dhe etike të raportimit.
Pse? Nuk paraqet interes për publikun raportimi për vdekjen e njeriut të sëmurë, përveç rasteve të personave publikë.
Të sëmurë vdesin për çdo ditë dhe çdokund edhe nga sëmundje të tjera. Po të raportoheshin të gjitha vdekjet e të sëmurëve, gazetaria do të ishte vetëm nekrologji.
Në fillim të pandemisë ka pasur një kuptim raportimi i vdekjeve, por tash edhe kjo sëmundje është ngulitur, si sëmundjet e tjera, si infarkti i zemrës, si ileusi, si gjakderdhja në tru, si kanceri, etj.
Prandaj veçimi dhe sforcimi i atyre vdekjeve, po shndërrohet në sadizëm medial. (E di që hipoteza ime ka mangësi, por është më afër të vërtetës.)