Qeveria Kurti ka “kapur” një tjetër ndërmarrje publike.
Me vendim të Qeverisë, nga sot e tutje, Kompania Rajonale e Ujësjellësit në komunën e Pejës ka kaluar në menaxhimin e mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të premten (sot), është bërë emërimi i kryesueses dhe tre anëtarëve tjerë të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” SHA – Pejë.
Në krye të bordit është emëruar një mbështetëse e Lëvizjes Vetëvendosje, Qëndresa Kukaj – Prelvukaj.
Kukaj – Prelvukaj, me profesion profesoreshë e ekonomisë, del te jetë edhe simpatizante e Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, qysh në fillimet e Lëvizjes.
Në bazë të postimeve në rrjetin e saj social, Kukaj e ka shprehur hapur mbështetjen e saj për kuazat e LVV-së.
Në nëntor të 2016-të, Kukaj kishte shpërndarë një fotografi nga marshi i Lëvizjes Vetëvendosje me moton “Drejtësi për Astritin”.

Tashmë kryesuesja e bordit të ujësjellësit në Pejë, ishte një aktiviste e devotshme e Lëvizjes.
Në zgjedhjet e parakoshme parlamentare të vitit 2017 ajo ‘kishte kërkuar’ përkrahje për Lëvizjen Vetëvendosje duke shpërndarë sloganin e tyre #meZemër.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, Kukajt i është “shpërblyer” aktivizmi i saj për Lëvizjen Vetëvendosje.
Përpos emërimit të Kukaj – Prelvukaj në pozitën e kryesues së bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” SHA – Pejë, Qeveria ka emëruar edhe tre anëtarë tjerë të bordit.
Tre anëtarët e zgjedhur në Bordin Drejtues të Ujësjellësit “Hidrodrini” SHA janë: Naim Neziri, Mjellma Vokshi dhe Ismet Feka.










