Prodhimi i KEK-ut tejkalon kërkesën për energji elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë ditëve të para të muajit korrik  ka arritur të sigurojë një stabilitet të plotë energjetik për vendin, duke tejkaluar kërkesën ditore të konsumit me një mbulueshmëri që ka shkuar deri në 117 për qind.

“Gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi nga KEK jo vetëm që ka përmbushur, por e ka tejkaluar kërkesën ditore të energjisë elektrike, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%. Njësitë tona prodhuese, ndonëse të stërvjetëruara dhe me sfida teknike të trashëguara, janë duke operuar me kapacitet të lartë, duke mundësuar mbulim të plotë të konsumit vendor dhe garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Në dritën e disa komenteve dhe interpretimeve publike, KEK Sh.A. rithekson përkushtimin e saj ndaj transparencës, zbatimit të ligjit dhe funksionimit normal të njësive energjetike.

“Faktet flasin vetë: Prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën.  Njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem. Të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen sipas ligjit, nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente. KEK mbetet e hapur për bashkëpunim me publikun dhe institucionet relevante, dhe fton që çdo komunikim të bazohet në fakte të verifikueshme, integritet dhe etikë profesionale”, thuhet tutje në komunikatë.

The post Prodhimi i KEK-ut tejkalon kërkesën për energji elektrike appeared first on Kosovapost.net.