Gati pesë vite pas ndarjes nga jeta të Diego Armando Maradonës, procesi gjyqësor lidhur me vdekjen e tij është ende në zhvillim. Gjykata e re argjentinase, e ngarkuar për të gjykuar faktet që ndodhën në nëntor të vitit 2020, ka rrëzuar të mërkurën kërkesën për përjashtimin e dy gjyqtarëve, të paraqitur nga mbrojtja e mjekut personal të Maradonës, Leopoldo Luque.
Sipas avokatëve mbrojtës, gjyqtarët në fjalë nuk do të ishin të paanshëm, duke ngritur dyshime për “frikë të bazuar të njëanshmërisë”. Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke e cilësuar si “nismë thjesht për të vonuar procesin, e bazuar në opinione personale, hamendësime dhe supozime pa asnjë bazë ligjore”. Mbrojtja ka njoftuar se do ta ankimojë vendimin.
Luque është një nga shtatë punonjësit e shëndetësisë që ndodhen nën akuzë, përfshirë mjekë, infermierë, një psikiatër dhe një psikolog, të akuzuar për “vrasje me dashje eventuale”. Në thelb, ata akuzohen për neglizhencë, ndonëse kanë qenë të vetëdijshëm për rrezikun ndaj jetës së pacientit.
Dënimet e parashikuara variojnë nga 8 deri në 25 vite burg. Procesi i parë u anulua në fund të majit, pas më shumë se dy muaj seancash dhe mbi 40 dëshmitarësh të dëgjuar, për shkak të një skandali që shpërtheu. Ky skandal lidhej me përfshirjen e gjyqtares në prodhimin e një dokumentari për vetë procesin.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak dhe edeme pulmonare, pas orësh agonie, në rezidencën e tij në Tigre, ku po rikuperohej nga ndërhyrja neurokirurgjikale.
The post Procesi “Maradona”, rrëzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve. Vazhdon beteja ligjore appeared first on Telesport.