Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas njoftimit, nga fillimi i këtij procesi, më 13 janar e deri më tani janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skënderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152).
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të hënën të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.
Të martën e kaluar, pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në QKN, KQZ-ja vendosi të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin, për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.









