Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi tash e pesë vite janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Gjykimi ndaj tyre po shihet si i tejzgjatur nga bashkëluftëtarët e tyre.
Nasim Haradinaj, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së i cili gjithashtu ishte arrestuar dhe gjykuar nga Gjykata Speciale në Hagë, tha për lajmi.net se është një proces i tejzgjatur dhe nuk ka arsyetim pse ky proces gjyqësor ka zgjatur aq shumë.
Ai tha se këtij gjykimi duhet t’i vjen fundi, dhe sipas tij kjo pritet të ndodh në prill apo maj të vitit të ardhshëm, shkruan lajmi.net.
“Së pari dua të them që ka qenë një proces i tejzgjatur, pa asnjë arsyetim në kuptimin e asaj sepse mundësia ka qenë që këto të shkojnë më shpejtë, pa marrë parasysh sa ata kanë thirr dëshmitarë apo sa ka thirr mbrojtja. Megjithatë, kësaj duhet t’i vjen fundi, unë e pres një fund diku kah prilli maji, por sipas deklaratës së tyre që për çështje logjistike do t’i shtyjnë seancat atëherë ka rrezik që kjo të vazhdoj më tutje.. Sipas orareve duke ditur praktikat që i kanë shfrytëzu, dhe pa shtuar këtë vonesën që do t’i ndërprejnë për një kohë. Sado që këta e ndërprejnë ajo shkon duke u shty. Duke e llogaritur që janë edhe disa dëshmitarë, pastaj edhe deri në 6 muaj kur të përfundon krejt gjyqi ata pastaj e marrin një vendim”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se edhe një drejtësi e vonuar është padrejtësi ndërsa Gjykatën Speciale në Hagë e ka parë si politike.
“Unë mendoj dhe jam i sigurt 100% që Gjykata është politike, nga fillimi deri në fund. Por nëse ka qenë politike vetëm sa për të marrë një kohë që me i ndal këta pak, dhe për të bërë një arsyetim dhe barazim me Serbinë në njëfarë mënyre, kjo është politike. Nëse qëllimi ishte largimi prej skenës politike të tyre unë pres një vendim për lirim, por edhe nëse është në faktin e provave që janë thënë deri tash, ato që ju i keni dëgju dhe ato që nuk i keni dëgju, nëse ka drejtësi duhet të ketë lirim”, ka thënë Haradinaj.
Që është proces i padrejtë dhe ndër më të padrejtët, ka thënë edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla për lajmi.net.
“Procesi gjyqësor në Hagë është ndër më të padrejtët që mbajmë mend ne si luftëtarë të UÇK-së dhe si shoqëri kosovare. Kjo gjykatë ka devijuar plotësisht nga misioni për të cilin është themeluar. Siç dihet, ajo u ngrit mbi pretendimet e rreme të raportit të Dick Martyt për kinse trafikim organesh nga UÇK në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në Shqipëri, por përfundoi duke mbledhur prova nga prokuroria e Serbisë dhe nga aparati shtetëror serb, i cili në kohën e Millosheviqit ushtroi gjenocid në vendin tonë”, ka thënë Syla.
Se kur pritet të përfundoj ky proces, Syla ka thënë për lajmi.net se bazuar në informacionet e marra nga mbrojtja, në pranverë të vitit 2026 ky proces pritet të marrë epilog.
Ai ka thënë se nuk presin një vendim pozitiv, duke pas parasysh qasjen që Gjykata Speciale në Hagë ka pasur nga themelimi i saj.
“Nuk presim asgjë të mirë nga një gjykatë që trajton vetëm shqiptarët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa mbyll sytë para krimeve dhe gjenocidit të kryer nga Serbia. Mjafton të përmendet fakti se aty tashmë janë dënuar edhe dy bashkëluftëtarë tanë me shumë vite burg. Kjo tregon qartë se qëllimi i kësaj gjykate nuk është drejtësia, por dënimi i ish-krerëve të UÇK-së”, ka thënë Syla.
Gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë, është kritikuar në vazhdimësi nga krerë dhe anëtarë të OVL-UÇK-së si dhe nga akterë politikë në vend.
Për të kundërshtuar këtë gjykim, OVL-UÇK ka organizuar protesta masive në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe tani më 116 nëntor pritet të mbahet në Strasburg të Francës, pikërisht përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /Lajmi.net/











