Dështimi i sistemit për procesimin e rezultateve preliminare dhe vonesat në procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë kanë nxitur reagimin e partive opozitare.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-se kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje më këtë proces.
Ata kanë kërkuar nga KQZ-ja që të tregohet e kujdesshme në ruajtjen e integritetit të votës. Ata kanë paralajmëruar se kushdo që tenton të manipulojë me këtë proces do të përballet me ligjin.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga KQZ-ja ruajtjen e integritetit i procesit zgjedhor.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se KQZ-ja duhet të siguroi numërimin e saktë të çdo vote.
Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet respektim e vullnetit të qytetarëve.
“Sot dërgojmë një mesazh të qartë, integritetit i procesit zgjedhor duhet të ruhet. I bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të siguroj numërimin e saktë të çdo vote, duke garantuar respektim e vullnetit të qytetarëve. Kosova ka zhvilluar një proces shembullor demokratik dhe është e domosdoshme që ai të përfundoj si i tillë”, ka thënë Çitaku.
Edhe kandidati i LDK-së për deputet, Driton Selmanaj, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me procesin e numërimit të votave.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se KQZ-ja po dështon në realizimin e administrimit të procesit zgjedhor.
“KQZ, po dështon në realizimin e detyrimit kushtetues dhe ligjor për administrimin e procesit zgjedhor. Fillimisht ju dështoj sistemi për procesimin e rezultateve preliminare, kurse tash po ju dështon fillimi i procesit të numërimit fizik, në qendrat e numërimit nëpër qytete. Edhe pse sot është dita e 3-të pas përfundimit të zgjedhjeve, në Prizren ende nuk është gati për të filluar ky proces”, ka shkruar ai.
Sipas tij, tanimë është cenuar besimi në këtë proces.
“Hetimi dhe përgjegjësia administrative dhe penale e KQZ është e domosdoshme, për rikthimin e besimit në këtë proces! Besimi tashmë është cenuar! P.S. Gjithë këto probleme u paraqiten edhe pse kishin kohë të mjaftueshme në dispozicion. Çfarë do ndodhte po t’i kishim zgjedhjet e jashtëzakonshme?”, ka shkruar Selmanaj.
Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se kushdo që tenton të manipulojë do të dënohet.
“Derisa jemi duke e pritur numërimin e votave, kërkoj nga të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit e Aleancës, por edhe të të gjitha partive tjera, që të kenë kujdes dhe ta ruajnë integritetin e votës. Kushdo që tenton të manipulojë votën bën shkelje të rëndë, krim dhe do të dënohet! Vota duhet të jetë e shenjtë dhe të gjithë ata që provojnë ta bëjnë një gjë të tillë janë të gatshëm të bëjnë çkado tjetër! Në të njëjtën kohë, dua ti falënderoj të gjithë qytetarët e Gjakovës që kanë shprehur vullnetin e vet në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Dua ti falënderoj të gjithë aktivistët e Aleancës, kryesinë, kryetarët e nëndegëve, vëzhguesit, komisionerët dhe të gjithë ata që kanë qenë të involvuar në një proces të ndërshem dhe fer. Tanimë na mbetet që edhe përfundimi të jetë fer dhe i ndershëm”, ka shkruar Gjini.
KQZ-ja mohon se është cenuar integriteti i votës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mohuar pretendimet se pengesat teknike në procesin e numërimit kanë cenuar integriteti i votës.
Përmes një komunikate për media, KQZ-ja ka vlerësuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe bazuar në vullnetin e qytetarëve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës”, është thënë në komunikatën e KQZ-së, duke shprehur përkushtimin e këtij institucioni për ruajtjen e integritetit te votës.
“KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi. KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, është thënë në komunikatë.