Deri më tani, për shkak të erërave të forta, rajonet ku janë shfaqur më shumë probleme me energjinë elektrike janë Peja dhe Gjilani.
Nga KEDS për Klan Kosovën bëjnë të ditur se të gjitha ekipet janë të njoftuara dhe ndodhen në terren, duke punuar intensivisht në sanimin e problemeve.
Sipas KEDS-it, ndërprerjet kanë zgjatur shumë pak, falë ekipeve të shpërndara në të gjithë vendin.
KEDS ka angazhuar mbi 1050 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe, të cilat janë të shpërndara në mbarë vendin. Në secilin vendvotim do të ketë një ekip në afërsi për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë prishjeje të mundshme.
“Siç ju kemi njoftuar edhe zyrtarisht, KEDS ka finalizuar planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë zgjedhjeve të parakohshme qendrore. Kemi angazhuar mbi 1050 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe, të shpërndara në gjithë vendin. Në secilin vendvotim do të ketë një ekip në afërsi, për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë prishjeje të mundshme”, thanë nga KEDS për Klan Kosova. /Klankosova.tv










