Probleme teknike në Coachella: Lady Gaga për pak sa nuk prish performancën kryesore

Lady Gaga u përball me një situatë të vështirë gjatë performancës së saj madhështore në Coachella, pasi mikrofoni i saj u prish në një nga momentet më dramatike të shfaqjes.

Superylli 39-vjeçar sapo kishte nisur pjesën e dytë të koncertit të saj kur mikrofoni i kufjeve ndaloi së funksionuari.

Kjo ndodhi ndërsa ajo qëndronte pezull mbi skenë në një strukturë që ngjante me një fustan gjigant, duke e detyruar të presë për një mikrofon zëvendësues, shkruan DailyMail.

Pas një hapjeje spektakolare me “Bloody Mary” dhe debutimit të këngës së saj të re “Abracadabra”, problemi teknik e ndërpreu energjinë e skenës.

Edhe pse për një moment mikrofoni rifilloi, zëri i Gaga-s filloi të këputej dhe të kërciste, duke e bërë të pamundur komunikimin me publikun.

Megjithatë, Gaga dëshmoi profesionalizëm të jashtëzakonshëm duke vazhduar performancën me koreografi të përpiktë, ndërsa vokalet dëgjoheshin nga audio mbështetëse.

Më pas, ajo u rikthye me një mikrofon dore, që i pengoi lëvizjen e lirë, por nuk e ndaloi të këndonte hitin e shumëpritur “Judas” – interpretim që nuk e kishte bërë live që nga viti 2019.

Problemet teknike vazhduan edhe gjatë “Scheiße”, por situata u përmirësua për këngën e pestë “Garden Of Eden”, kur gjithçka duket se u kthye në normalitet.

Fansat reaguan menjëherë në rrjete sociale, duke shprehur shqetësim dhe mbështetje: “E trajtoi si profesioniste që është”, shkroi një fans, ndërsa të tjerë vlerësuan përkushtimin e saj pavarësisht vështirësive.

Pavarësisht pengesave, Lady Gaga ia doli të mahnitë publikun dhe të ruajë emocionin e një performance të denjë për një yll të vërtetë. /Telegrafi/