Prizren: Katër punëtorë të poligonit “Dreni” ndalohen për falsifikim dokumentesh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë katër persona me inicialet S.B., R.M., H.N. dhe B.G.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit janë të angazhuar si punëtorë-instruktorë në poligonin e Drenit në Prizren dhe dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” sipas nenit 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391 i KPRK-së.

Prokuroria bën të ditur se veprimet e dyshuara janë kryer në vazhdimësi dhe ndërlidhen me një rast që është aktualisht në hetim ndaj disa zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarve do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.