Kryetari i Nismës Socialemokrate në Prizren, Zafir Berisha vlerësoi se shkarkimi i drejtorit të Arsimit në Prizren, nga kryetari Mytaher Haskuka është i njëanshëm.
Berisha duke komentuar vendimin e sotëm të Haskukës për shkarkimin e Gani Gërmizajt, tha për portalin “Gazeta e Prizrenit” se kjo është bërë pa njoftim pararak, ndërsa në këtë rast kryetari ka bërë shkelje flagrante të parimeve për marrëveshje të koalicionit.
Haskuka ka njoftuar se shkarkoi Gërmizajn, “për shkak të parregullsive në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie”.
Dega e Nismës në Prizren është duke shqyrtuar situatën e krijuar dhe se do të ndërmerr veprime adekuate, për të cilat opinioni do të njoftohet me kohë.
Në këtë rast, pas vendimit të befasishëm të Haskukës për drejtorin e DKA-së, shtrohet pyetja a është në rrezik koalicioni i VV-Nisma në Prizren.