Që nga momenti që është hapur zyrarisht merkato e kësaj vere, e cila vazhdon ende, emri i Nick Woltemade është përfolur shumë për një transferim të mundshëm drejt Bayern Munich. Madje, bavarezët kanë bërë dhe një ofertë zyrtare për kartonin e 23-vjeçarit prej 40 milionë eurosh, por që është refuzuar nga Stuttgart, klubi gjerman kërkon të paktën mbi 60 milionë euro.
Megjithatë, situata me Woltemade mund të marrë një kthesë tjetër nga ajo që pritej. Hansi Flick e pëlqen shumë gjermanin dhe ka kërkuar nga drejtuesit e Barcelonës të tentojnë transferimin e tij.
Flick e ka ndjekur Woltemade për një kohë të gjatë dhe vlerëson veçanërisht aftësinë e tij për të kombinuar forcën fizike, aftësitë teknike dhe atë për të shënuar gola. Përveç talentit të tij për të shënuar, gjermani dallohet për aftësinë e tij për t’u lidhur në hapësira të ngushta dhe leximin taktik, i cili i lejon atij të përshtatet me sisteme të ndryshme loje.
Trajneri katalanas e sheh sulmuesin gjerman si një plotësues perfekt për Lamine Yamal dhe Raphinha, duke krijuar një linjë sulmuese të gjithanshme dhe premtuese. “Ai ka gjithçka që i nevojitet për t’u bërë një forcë sulmuese e nivelit të lartë”, thuhet se ka komentuar Flick në takimet e brendshme me drejtuesit e klubit katalanas.
Gjithsesi, problemi kryesor mbetet shifra e majme që kërkon Stuttgart, por te Barcelona shpresojnë të mbyllin transferimin e tij verën e ardhshme. Plani është të bëhen kontakte të hershme në muajt në vijim për të shmangur rritjen e çmimit ose ndërhyrjet nga klubet e tjera. Woltemade mund të jetë një tjetër “premtim” i madh i Joan Laportës për vitin e ardhshëm, duke ditur që janë zgjedhjet presidenciale dhe transferimi i gjermanit mund të jetë një plus i madh për presidentin katalanas për të marrë votat e duhura për t’u rizgjedhur në krye të Barcelonës.
Megjithatë, pavarësisht ofertës së parë të refuzuar nga Stuttgart, Bayern Munich nuk ka hequr dorë nga sulmuesi gjerman dhe pritet një tjetër ofertë e përmirësuar e bavarezëve në ditët në vijim.
The post Pritej zyrtarizimi i tij te Bayern, por Hansi Flick e kërkon te Barcelona appeared first on Telesport.