Prisni pak – ndryshe nga shumëkush, Veton Surroi thotë se vendi “mund të mos shkojë” në zgjedhje

Publicisti Veton Surroi është rreshtuar në një linjë me qeverinë dhe pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me çështjen e presidentit, e cila rrezikon ta çojë vendin drejt një bllokade të re institucionale pas asaj të vitit të kaluar.

Në një vështrim rreth zhvillimeve të fundit politike, Surroi ka “rrëshqitur” pak edhe një interpretime juridike.

Ai e ka fajësuar presidenten në largim Vjosa Osmani për nxitim me rastin e nxjerrjes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të premten.

Sipas ish-kryeredaktorit të Kohës Ditore, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për dërgimin e vendit në zgjedhje e jo presidentja, duke potencuar se Kosova “mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

“Kosova mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar”, ka shkruar Surroi në analizën e tij.

Më tej, Surroi e ka cilësuar të ngutshëm dekretin e shpallur sot nga presidentja në largim.

“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik”, ka thënë ai.

Cilido që të jetë përfundimi i kësaj çështjeje, Surroi tha se është momenti që të shmanget gjuha e ashpër, polarizuese mes akterëve politikë.