Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policia e Kosovës, ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R. dhe B.Z., nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje”.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, i dyshuari M.M. ngarkohet edhe me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa D.R. dyshohet edhe për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.
Sipas dyshimeve të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 euro.
Prokurori i shtetit, ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.
Ndërkaq, Gjykata kompetente u ka caktuar të pandehurve M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh.










