Komuna e Prishtinës ka dështuar plotësisht në ndërtimin e infrastrukturës publike esenciale, ndërsa ka vazhduar me ritëm të lartë të japë leje ndërtimore për ndërtesa të larta. Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit i publikuar ditë më parë tregon një dështim të rëndë të planifikimit urban: në katër vitet e fundit, në kryeqytet nuk është ndërtuar asnjë çerdhe dhe asnjë shkollë e re, raporton Demorkacia.com.
Pavarësisht premtimeve për zhvillim të balancuar, të dhënat tregojnë një situatë alarmante. Planet rregulluese urbane nuk janë bazuar në nevojat reale të qytetit, pasi nuk është bërë asnjë vlerësim i ndikimit të ndërtimeve të reja në shërbimet publike. Në vend të shkollave dhe çerdheve të reja, Komuna ka lejuar ndërtimin masiv të kullave, duke krijuar një kaos urbanistik dhe duke e mbingarkuar edhe më shumë infrastrukturën ekzistuese.
Ditë më parë është publikuar “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”, ndërsa një kapitull i vençat i është kushtuar Planeve rregulluese.
Raporti thekson se numri i institucioneve arsimore ka mbetur praktikisht i pandryshuar që nga viti 2020, ndërsa kërkesat për arsim janë rritur ndjeshëm. Gjithashtu, mungesa e hapësirave të dedikuara për transport publik dhe objekte shëndetësore tregon se Komuna ka ndjekur më shumë interesat e investitorëve se sa të qytetarëve.
“Siç shihet në tabelën sipër, numri i çerdheve dhe shkollave të mesme të larta vazhdon të mbetet i njëjtë që nga viti 2020 ndërsa dallim të madh nuk ka as numri i shkollave fillore dhe të mesme të ulëta për këto vite. Këtu shihet qartë se as numri i mësimdhënësve nuk ka pësuar rritje, përkundrazi kishte një rënie të vogël për këto vite, pra kjo është një nga treguesit se shërbimet arsimore nuk janë rritur në përputhje me numrin e lejeve të lëshuara të ndërtimit”, thuhet në raport.
Siç shihet nga tabela më sipër që nga viti 2020 në Komunën e Prishtinës është ndërtuar vetëm një Qendër e Mjekësisë Familjare. Krahasuar me ndërtimet, as kërkesa për shërbimet shëndetësore rezulton të mos jetë përmbushur.
Ndërkohë, planet e shumta të premtuara për përmirësimin e transportit publik, përfshirë edhe idenë për tramvaj, kanë mbetur vetëm në letër. Zonat e parashikuara për këtë shërbim janë tashmë të mbingarkuara me ndërtime të larta, duke pamundësuar çdo projekt të tillë në të ardhmen.
“Komuna nuk ka përgatitur as infrastrukturën elementare për shërbimet publike që janë paraparë me këto plane e që është obligim i saj që t’ua ofrojë qytetarëve. P.sh në plane janë paraparë edhe trena urban-tramvaje në dy drejtime me sipërfaqe 7m, por për të cilat nuk është lënë hapësirë për t’u ndërtuar as në të ardhmen sepse zonat që parashohin këtë shërbim janë të stërngarkuara me ndërtime të larta, për të cilat Komuna në vazhdimësi lëshon leje ndërtimore. Pra, Komuna sigurohet që të përmbushë kërkesat e investitorëve për ndërtim mirëpo nuk sigurohet që të përmbushen kushtet elementare siç janë çerdhet, shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, e aq më pak shërbimin e trenave urban, metodë udhëtimi që nuk operon askund në Kosovë. Kjo për arsye se Komuna nuk i ka kushtuar fokusin e njëjtë edhe ofrimit të shërbimeve tjera krahas lëshimit të lejeve, kjo gjë shihet edhe në planifikimin buxhetor ndër vite për këto shërbime12. P.sh drejtoria e urbanizimit lëshon leje duke u bazuar në kërkesat për leje ndërtimore, mirëpo Komuna nuk përcjellë këtë trend me ndërtimet e parapara qoftë për çerdhe, shkolla apo edhe Qendër të Mjekësisë Familjare. Lëshimi i lejeve të ndërtimit pa u siguruar që realizohet edhe infrastruktura përcjellëse përkon më shumë me interesat e investitorëve se sa me interesat e përgjithshme të qytetarëve”, thuhet në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se planet rregulluese urbane të Komunës së Prishtinës janë “të përgjithshme dhe jo realiste” dhe se ato nuk janë zbatuar siç është paraparë.
Sipas raportit të auditorit, “në ndërtimet aktuale janë rritur etazhitetet në ndërtim krahasuar me ato të planifikuara, nuk janë ndërtuar as infrastruktura përcjellëse sipas planeve, si ajo: rrugore, shërbimet shëndetësore, arsimore e as transporti publik”.
Po ashtu, raporti vë në pah se këto plane nuk kanë qenë të detajuara dhe konkrete. “Planet janë të përgjithshme, pasi që janë paraparë p.sh. numër i caktuar i shkollave, shtëpive të shëndetit, rrugë, transporti publik, etj., por jo edhe zona ku do të ndërtohen apo çfarë kapaciteti do të kenë” , thuhet në raport.
Auditori thekson se mungesa e zbatimit të këtyre planeve ka sjellë pasoja të mëdha për qytetarët. “Për 10 vite është ndërtuar vetëm një Qendër e Mjekësisë Familjare, ndërsa çerdhe dhe shkolla të mesme të larta nuk është ndërtuar asnjë për periudhën 2020-2024”, thekson raporti, duke shtuar se nuk është ndërmarrë asnjë hap për realizimin e planit për trafikun urban, përfshirë trenin urban apo tramvajin.
Gjithashtu, auditori vë në dukje se Komuna i ka besuar hartimin e planeve kompanive projektuese të kontraktuara, por pa bërë ndonjë analizë të ndikimit. “Nuk është bërë ndonjë studim i fizibilitetit që të sigurohet për ndikimin që do të ketë lëshimi i kaq shumë lejeve të ndërtimit në përmbushjen e këtyre planeve, e as në ngarkesën e shkaktuar në qytet”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Sipas gjetjeve të auditorit, “secili plan është bërë në baza të vullnetit të kompanisë projektuese, pasi që nuk ka standarde specifike apo të matshme se si duhet të jetë një plan.” Për më tepër, planet nuk janë bazuar në “trendet e kërkesave për leje dhe as nevojave reale në terren, sepse nuk është bërë vlerësimi i nevojave për çerdhe, shkolla e institucione shëndetësore dhe nuk janë përfshirë as trendët e ndërtimeve.”
Si përfundim, raporti thekson se Komuna e Prishtinës ka përfunduar në një situatë ku “planet janë të përgjithshme dhe jo të arritshme”. duke ndikuar negativisht në zhvillimin urban të qytetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. /Demokracia.com/